Befason Shqipëria, në bisedime me futbollistin brazilian
Në prag të grumbullimit, trajneri i kombëtares, Erind Resuli, në konferencën për shtyp zbuloi që janë në negociata për të afruar edhe një lojtar brazilian.
“Grumbullimi do të nisë në datën 2 prill, në Prishtinë, sikurse bëmë edhe përpara grupit paraeliminator që u luajt në Bullgari. Ekipi është i plotë, me përjashtim të kapitenit, i cili ka pësuar një dëmtim përpara dy javësh në kampionatin italian. Megjithatë, ai është zëvendësuar nga një tjetër lojtar që aktivizohet po në Itali.
Është një minus për ne mungesa e tij, por mendoj se i gjithë grupi do të mundohet ta mbulojë këtë vakum të krijuar prej tij. Në këtë tur eliminator është thuajse i njëjti grup nga pjesëmarrja e fundit, me përjashtim të kapitenit Halimi.
Sakaq, risia e këtyre eliminatoreve është që ne po përpiqemi me shpresën që deri të hënën, ndoshta të martën në mëngjes, të marrim një përgjigje pozitive për natyralizimin e një lojtari brazilian 26-vjeçar me një nivel shumë të lartë. Një vit më parë ka luajtur në ‘final 8’ në Europë. Ai luan me Real Rieti, kampione e Italisë e sezonit të mëparshëm”, deklaroi trajneri Resuli.



