Berat Lahu publikon dokumentin që dëshmon se kompania e Vuk Hamoviqit u licencua nga ZRRE’ja më 2021-ën
Asamblisti i pavarur në Komunën e Prishtinës, Berat Lahu, i cili dikur ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, ka publikuar një dokument të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që dëshmon se ky institucion kishte licencuar Energy Financing Team (EFT)-në, kompaninë e biznesmenit serb, Vuk Hamoviq.
Lahu e ka shpërndarë këtë dokument në ‘Facebook’ duke thënë se Armend Muja dhe Artane Rezvanolli është mirë ta pranojnë këtë, transmeton Periskopi.
“Unë, Berat Lahu, nuk po shpif. Armend Muja dhe Artane Rizvanolli më mirë është ta pranojnë se sa të perpiqen ta fshehin te vërtetën e tmerrshme dhe të pabesueshme të licencimit të EFT. Me 02 Shtator 2021, është Licencu EFT, nga ZRRE”, thuhet në postimin e tij.
Vetëvendosje në vazhdimësi ka mohuar të është licencuar EFT’ja përgjatë kohës së pushtetit të këtij subjekti politik. Megjithatë, në bazë të këtij dokumenti, shihet se nënshkrimi i dhënë nga Ymer Fejzullahu i ZRRE’së është i datës 2 shtator 2021.



