Berisha: Jam krenar dhe i lumtur që e përfaqësoj Kosovën
“Jam krenar dhe i lumtur që e përfaqësoj Kosovën”, thotë Berisha në një bisedë për gazetën. Atë që nuk kishte mundur ta arrinte duke e përfaqësuar Norvegjinë, Berisha, 23-vjeçar, e arriti javë më parë, shkruan sot “Koha Ditore”.
U shpall futbollisti më i mirë në Kosovë për vitin 2016. Nga të gjithë u tha se kurorën e më të mirit e fitoi me meritë. Çmimi i fituar thotë se i ka dhënë motiv shtesë për të arritur suksese edhe në vitin 2017.
“Isha shumë i emocionuar kur e pranova çmimin, por edhe i lumtur e krenar. Është një shpërblim që e gëzon edhe familjen time”, ka theksuar Berisha.
Berisha, që me Salzburgun vitin e kaluar fitoi titullin dhe Kupën e Austrisë, është autor i golit të vetëm dhe historik të Përfaqësueses së Kosovës. Në katër ndeshjet e para eliminatore, Kosova ka shënuar vetëm një gol.



