Berjani: Vendimi për çmimet ‘tavan’ është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin

Berjani: Vendimi për çmimet ‘tavan’ është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin

Kryetari i Shoqatës së Naftarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka deklaruar për Indeksonline se vendimi i nxjerrë nga Ministria e Tregtisë lidhur me çmimet tavan të derivateve është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Sipas Berjanit, neni 10 i Kushtetutës garanton treg të lirë dhe liberal, ndërsa vendimi aktual, sipas tij, bie ndesh drejtpërdrejt me këtë parim.

“Vendimi që ka nxjerrë Ministria e Tregtisë është në kundërshtim me Kushtetutën, pasi neni 10 përcakton qartë se Republika e Kosovës është treg i lirë dhe liberal. Po ashtu, sipas udhëzimeve ligjore, është dashur të konsultohet edhe Shoqata e Naftarëve, gjë që nuk ka ndodhur. Ky vendim është në kundërshtim si me udhëzimin ashtu edhe me ligjin,” ka thënë Berjani për Indeksonline.

Ai ka kërkuar nga Ministria që të ofrojë prova konkrete nëse ka abuzime me çmime në tregun e derivateve.

“Nëse ka shkelje apo abuzime me çmime, Ministria duhet të tregojë qartë se kush po abuzon,” ka theksuar ai.

Berjani ka nënvizuar se Kosova aktualisht ka çmimet më të ulëta të derivateve në rajon, falë konkurrencës së madhe në treg.

“Kosova është më e lira në rajon për çmime të derivateve, falë mbi 60 importuesve aktivë dhe konkurrencës së fortë, e cila ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e çmimeve për qytetarët,” ka thënë Berjani.

Shpërndaje në: