Besim Kelmendi sulmon Paparacin, por s’e mohon se ka punuar në Gjykatë në kohën e Millosheviqit
U.d. i Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi e ka sulmuar Paparacin për raportimet rreth të kaluarës së tij si punonjës i sistemit të drejtësisë në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Por, në një konferencë për media të mërkurën, Kelmendi nuk e mohoi të ketë punuar si bashkëpunëtor profesional në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë më 1999.
Është një fakt që unë e kam bërë publik që e kam bërë publik që nga momenti që punoj në sistemin e drejtësisë. Unë isha punësuar në vitin 1986 në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës. Isha punësuar bashkë me të gjithë punëtorët e tjerë shqiptarë”, e ka pranuar Kelmendi.
Kelmendi, i cili sot dëshmoi në Prokurorinë Speciale për rastin nën hetim të masakrës së Reçakut, tha se puna në sistemin e Millosheviqit nuk ndërlidhet me regjimin e tij.
“Besoj që të gjithë e dinë se çka do të thotë bashkëpunëtor profesional. Është titull i punës, profesional, s’ka lidhje me bashkëpunim regjimi dhe parti politike”, tha ai në një konferencë për media.
Tutje, Kelmendi e ka sulmuar rëndë Paparacin për raportimet për të kaluarën e tij.
U.d. i Kryeprokurorit i ka quajtur “shpifje” raportimet e Paparacit, ndonëse e ka pranuar se ka punuar në sistemin e drejtësisë të regjimit të Millosheviqit.
“Më vjen shumë keq që një portal i njohur me emrin Paparaci, është duke vazhduar të bëjë shpifje dhe duke plasuar gjëra plotësisht të pavërteta lidhur me punën dhe të kaluarën time. Sot keni pasur rastin të shihni aty një shkrim që jo vetëm nuk është i vërtetë, por është tendencioz, përmban shpifje dhe të pavërteta”, tha ai.
“Unë kam pasur shkrime të mëhershme nga i njëjti portal. Nga pronari i saj, Vehbi Kajtazi. Arsyeja pse ai shpif për mua është shumë e lehtë për t’u kuptuar.”
Kelmendi akuzoi gazetarin dhe drejtuesin e Paparacit, Vehbi Kajtazin, se gjoja i ka ndërhyrë në një rast të caktuar nën hetim.
“Pasiqë refuzova këto kërkesa dhe këto tentativa të tij për të ushtruar ndikim në punën time, ai ka dërguar sms-a shantazhues për të cilat ka qenë i njoftuar edhe ish-Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi”, pretendoi Kelmendi.
Kelmendi, po ashtu e ka mohuar të ketë qenë në Reçak para vitit 2001.
“Kurrë në jetën time, deri në vitin 2001 nuk kam qenë në fshatin Reçak. Kur në jetën time nuk kam qenë as gjyqtar, as prokuror as hetues”, tha Kelmendi
Kelmendi, siç raportoi sot Paparaci, u ftua për intervistim nga Prokuroria Speciale për rastin nën hetim të masakrës së Reçakut.
U.d. i Kryeprokurorit të Shtetit, në periudhën e ngjarjes së kësaj masakre, ka mbajtur pozitën e bashkëpunëtorit profesional në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.
Masakra e Reçakut kishte ngjarë më 15 janar të vitit 1999.



