Biseda mes asambleistëve për 50 milionëshin në emër të Kurtit, LDK: Shpalos qartazi kriminalitetin e LVV-së, të hetohet çdo detaj
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar në lidhje me video-incizimin ku asamblistët e Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës dëgjohen duke përmendur emrin e kryeministrit Albin Kurtit, hajninë, pronat në Badovc e deri te akuzat e ndryshme.
Në reagim, LDK ka thënë se “këto praktika korruptive dhe kriminale fshihen pas fasadës së premtimeve për “ndryshim” e “transparencë”, ndërsa në realitet reflektojnë politikë të shpërdorimit, ku përfitimet personale e partiake vendosen mbi interesat e qytetarëve.”
Kjo parti e quajti “të papranueshme” që asamblistët të përfshihen në marrëveshje të kundërligjshme.
“Është e papranueshme që asamblistët, të cilët paguhen me taksat e qytetarëve, të përfshihen në marrëveshje të kundërligjshme dhe të pista, që minojnë seriozisht besimin e qytetarëve në përfaqësuesit e tyre.” – thuhet më tej.
Sipas tyre, skandali “demonstron qartazi se LVV-ja nuk është asgjë më shumë se një burim i pashtershëm i praktikave klienteliste dhe nepotiste, që dëmtojnë rëndë interesin publik.”
Postimi i plotë:
Skandali i fundit i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili zbulon pazare të brendshme, të ulëta e të turpshme, të asamblistëve të këtij subjekti në Kuvendin Komunal të Prishtinës, shpalos qartazi kriminalitetin e LVV-së dhe përbuzjen e hapur që i bën kjo lëvizje kryeqytetit dhe qytetarëve tanë.
Këto praktika korruptive dhe kriminale fshihen pas fasadës së premtimeve për “ndryshim” e “transparencë”, ndërsa në realitet reflektojnë politikë të shpërdorimit, ku përfitimet personale e partiake vendosen mbi interesat e qytetarëve.
Është e papranueshme që asamblistët, të cilët paguhen me taksat e qytetarëve, të përfshihen në marrëveshje të kundërligjshme dhe të pista, që minojnë seriozisht besimin e qytetarëve në përfaqësuesit e tyre.
Ky skandal demonstron qartazi se LVV-ja nuk është asgjë më shumë se një burim i pashtershëm i praktikave klienteliste dhe nepotiste, që dëmtojnë rëndë interesin publik.
U bëjmë thirrje organeve përgjegjëse të veprojnë pa hezitim dhe të hetojnë deri në fund çdo detaj të kësaj shkelje brutale të standardeve etike dhe ligjore.
Vetëm duke dënuar qartë e fort këtë lloj keqpërdorimi mund të mbrohet interesi i qytetarëve.



