Bislim Bislimi reagon pas pezullimit të sinjalizuesit nga puna: Të pavërteta, përpjekje e zyrtarit për të vënë në lajthitje
I sapocaktuari Zyrtar Kryesor Administrativ në Agjencinë e Arkivave të Kosovës, Bislim Bislimi, ka reaguar pasi zyrtari Gjon Gegaj ka sinjalizuar për shkelje të rënda ligjore, që përfshijnë manipulim të proceseve të prokurimit, ndikim në komisione dhe favorizim të kompanive të caktuara.
Bislimi ka dërguar një reagim në adresë të Gazetës Insajderi, ku mohon të gjitha pretendimet e sinjalizuesit Gegaj, si dhe thotë se u caktua ushtrues detyrë i Agjencisë së Arkivave me kërkesë të ministrisë.
“Nuk është e vërtetë se unë jam në drejtim të rikthimit në krye të Agjencisë së Arkivave. Unë nuk jam në atë proces dhe nuk ka qenë kërkesë e imja që unë të ricaktohesha për të ushtruar këto detyra. Kjo kërkesë ka ardhur nga eprorët e mi dhe këtë e kam pranuar përkohësisht ndërsa unë as kam pasur në plan dhe as kam në plan të ushtrojë detyrën e Drejtorit Ekzekutiv në atë Agjenci përtej periudhës deri në shpalljen e procedurave të rekrutimit për të plotësuar atë pozitë”, ka thënë ai.
I njëjti ka thënë se asnjë dyshim nga ndonjë institucion serioz nuk është ngritur që nga koha kur ai ka menaxhuar agjencinë e arkivave.
“Së dyti, asnjë dyshim nga asnjë institucion përfshirë Zyrën Kombëtare të Auditimit nuk është ngritur për asnjë projekt që është menaxhuar nga koha kur unë e kam drejtuar Agjencinë të gjitha kontrollat nga auditorët për procedura të zhvilluara në Agjencinë e Arkivave konfirmojnë rregullësi të plotë prandaj edhe këto nënvizime (dyshime per projektet e Agjencise) janë raportim mediatik i pavërtetë dhe unë i cilësojë shpifje tendencioze”, ka thënë me tej Bislimi.
Ndër të tjera, ai i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit, Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për zhvllimin e procedurës së hetimit dhe shqyrtimit të sinjalizimit që sa më parë të aktivizohen dhe të kryejnë shqyrtimet dhe hetimin e plotë.
Bislimi ndër të tjera ka thënë se po kërkon hetim nga organet e rendit për “humbjen” e dokumentit për pronën në vlerë 12 milionë euroshe.
“Unë ftojë organet e hetimit edhe administrativ edhe të ndjekjes penale që të zhvillojnë në këtë rast hetime edhe në drejtim të lidhjeve të personave që janë përfshirë në këtë rast kunder meje, me procese hetimore në rastin e vitit të kaluar të arrestimeve për falsifikim të dokumenteve me prona. Unë po kërkojë hetim në këtë rast për të vlerësuar lidhjet e personave që ndodhen në aktvendimin e fillimit të hetimeve për “humbjen” e dokumentit për pronën në vlerë 12 milionë euro, nuk po bëjë asnjë akuzë sepse konstatimi duhet të nxirret nga faktet”, ka thënë më tej ai.
Reagimi i plotë:


Për çka e akuzoi sinjalizuesi Bislim Bislimin?
Zyrtari i Arkivave, Gjon Gegaj, në një shkresë zyrtare drejtuar institucioneve dhe ministres përkatëse, ka raportuar për shkelje të rënda ligjore, përfshirë manipulim të proceseve të prokurimit, ndikim në komisione dhe favorizim të kompanive të caktuara.
Sipas tij, pas denoncimit në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe në Policinë e Kosovës, ai është përballur me masa ndëshkuese. Me urdhër të drejtpërdrejtë të Bislimit, Komisioni Disiplinor ka marrë vendim për pezullimin e tij nga puna, një veprim që ngre dyshime për hakmarrje institucionale ndaj sinjalizuesve.
“Unë i kam njoftuar organet përgjegjëse për hetimin e korrupsionit… për përfshirje direkte në procese të dyshimta dhe abuzim të parasë publike”, thuhet në shkresën e tij.
Sipas Gegajt, reagimi ka qenë i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë nga vetë i denoncuari.
“Pas sinjalizimit… z. Bislim Bislimi i jep urdhër Komisionit Disiplinor për veprime të menjëhershme ndaj meje… dhe nxjerr vendim për pezullim nga detyra pa asnjë provë relevante”.
Ai thekson se në vend që të hetohen pretendimet, është ndëshkuar personi që i ka ngritur ato.
“Në vend të veprimit ndaj personave të apostrofuar… goditet personi i cili sinjalizon e denoncon rastet abuzive”.
Në shkresë pretendohet për një kontroll të plotë mbi proceset brenda Arkivave, nga prokurimi deri te konkurset.
Sipas tij, janë ushtruar edhe presione mbi stafin për të rritur normat e punës jashtë çdo standardi.
“Zyrtarët janë detyruar të punojnë nga 700 deri 1200 dokumente në ditë… jashtë çdo norme, me qëllim që kompania ta përfundojë tenderin më shpejt”.
Ai pretendon se kjo është bërë për përfitime të drejtpërdrejta financiare.
“Që kompania të mos paguaj punëtorë dhe të marrë fitimin nga përfundimi para kohe i kontratës”.



