Blaka i AAK: Kurti po tenton me i hesht mediat pasi po e zbulojnë të vërtetën e premtimeve të tij
Lulëzim Blaka nga AAK ka kritikuar kryeministrin Kurti pasi ky i fundit akuzoi mediat.
Ai në Facebook tha se Kurti dikur i përdorte si platformë për propagandën e tij, tash përpiqet t’i heshtë me çdo kusht.
E kjo po ndodh sipas tij pasi mediat po e zbulojnë të vërtetën.
Agresiviteti i Kurtit ndaj mediave është i pashembullt. Dikur i përdorte si platformë për propagandën e tij, tash përpiqet t’i heshtë me çdo kusht. Pse? Sepse mediat po e zbulojnë të vërtetën e premtimeve të tij.
Nuk është rastësi që sulmet ndaj gazetarëve po shtohen kur qytetarët po shohin se “qeverisja e shpresës” ishte veç mashtrim elektoral. Përballë dështimeve në qeverisje dhe frikës nga rënia e madhe e pritshme më 9 shkurt, Kurti ka zgjedhur rrugën e udhëheqësve autoritarë – krijimin e armiqve imagjinarë për të mbuluar paaftësinë e vet.
Qasja e tij është e qartë: çdo kritikë është “dezinformim”, çdo pyetje e vështirë është “sulm”, çdo kërkesë për llogaridhënie është “propagandë”.
Si duhet të përgjigjen mediat? Të vazhdojnë punën e tyre. Plus, të mos u japin hapësirë figurave qesharake dhe palaçove të pushtetit si “Mefi, Dimali, Bahtiri and CO”. Kjo do t’u shtonte cilësinë mediave.
Më 9 shkurt, qytetarët e Kosovës do të vendosin mes dy rrugëve: thellimit të degradimit të sistemit nga demokracia në autokraci, apo kthimit në vlerat demokratike.



