“Bllokada vazhdon” – kryeqyteti nis përsëri ankesat për Kurtin e Muratin lidhur me buxhetin e Prishtinës

“Bllokada vazhdon” – kryeqyteti nis përsëri ankesat për Kurtin e Muratin lidhur me buxhetin e Prishtinës

Kryeqyteti ka nisur përsëri ankesat në drejtim të ekzekutivit për mos përfshirjen e buxhetit të Prishtinës në projekt-buxhetin për vitin 2026, të propozuar nga kryeministri Kurti e ministri Murat.

Florian Dushi, nënkryetar i Komunës së Prishtinës, ka thënë se Qeveria Kurti është duke përdorur metodën e njëjtë sikurse në vitet paraprake duke bllokuar buxhetin për kryeqytetin.

“Buxheti i Prishtinës sërish jashtë – bllokada vazhdon! Buxheti i Prishtinës edhe një herë nuk përfshihet. Prap Hekurani, leifengu politik i Albinit, prap e njëjta skemë: bllokadë pa asnjë arsye ligjore, por me një qëllim të qartë – ndëshkimin e Kryeqytetit dhe qytetarëve të tij. Kjo nuk është thjesht një vonesë administrative e procedurale. Është një qasje e pastër politike që synon bllokimin e punës dhe projekteve zhvillimore të Kryeqytetit, si dhe pengimin e kryetarit Perparim Rama – puna dhe rezultatet e të cilit duket se kanë krijuar më shumë se bezdi në qeveri”, thuhet në reagimin e Dushit në Facebook.

Ish-drejtori i Inspekcionit, Dushi ka shtuar se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për të kundërshtuar buxhetin e propozuar nga Qeveria.

Sipas Dushit, Prishtina dhe qytetarët e saj meritojnë zhvillim e jo bllokada e pengesa.

“Hekurani duhet ta ketë të qartë se Kryeqyteti nuk dorëzohet – është plotësisht i gatshëm t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore, jo vetëm për të marrë atë që i takon, por edhe për të kërkuar përgjegjësi ndaj secilit që, në abuzim flagrant me pushtetin, synon ta mbajë peng Prishtinën. Prishtina nuk mund dhe nuk duhet të mbahet peng nga kalkulime të tilla. Qytetarët e Kryeqytetit meritojnë zhvillim, jo bllokada e pengesa”, ka thënë Dushi.

Shpërndaje në: