Blogeret kosovare tregojnë përvojat e tyre
Pranvera Selimi, blogere e njohur në Kosovë, tregon se rruga drejt blogut, ka nisur nga postimet në Instagram. Ajo tregon se në këtë rrjet, përveç fotografive të rëndomta, ajo ka postuar aktivitet e saj, librat e lexuar, progresi në fitness, shëtitjet në natyrë, etj.
“Në këtë mënyrë kam marr reagime (komente, mesazhe personale) ku ndjekës të mi më kanë pyetur në lidhje me ndonjë libër, për motivimin që e gjej për me shku në fitnes apo edhe për ndonjë këshillë rreth çështjeve të ndryshme. Pasi që e pashë që kjo gjë është bërë e shpeshtë, fillova të mendoj që ndoshta më mirë është me e fillu një blog ku mund të shkruaj më gjërësisht për këto tema e edhe të komunikoj me ndjekës të mi rreth këtyre temave më gjërësisht e më në thellësi. Si pasojë, e fillova blogun tim me emrin BlondAlmond (krejt e rastësishme), dhe fillova me shkru për disa tema që i kam për zemër dhe që kam mendu që janë më me interes për lexuesit/ndjekësit e Instagramit/Blogut tim”, shprehet Pranvera.

Blogerja, praktikon vetëm pjesën e të shkruarit blog. Për të është me rëndësi që t’i inspirojë dhe motivojë njerëzit e tjerë jo vetëm duke postu fotografi që tregojnë se çfarë bën, por edhe duke e përshkruar se si e bën atë dhe si ka ardhur deri në atë pikë, përfshirë problemet dhe sfidat. Por, ajo shprehet se në Kosovë , termi “ blogere”, shpeshherë keqinterpretohet.
“Në Kosovë mendoj që njerëzit ‘blogeret’ i cilësojnë vetëm si persona të cilët kanë një Instagram Account ku postojnë shpesh fotografi të tyre, kryesisht me veshje apo produkte të ndryshme, shpeshherë duke reklamuar produkte. Duke qenë se rrjetet sociale janë shumë të përdorura nga kosovarët, besoj që një shumicë e madhe vetëm se e dijnë se çka është blogu, sipas këtij përkufizimi lart.
Sa i përket blogereve apo blogjeve se si i përkufizoj unë ato – pra persona që shkruajnë ‘blogposte’ për cështje të ndryshme, besoj që janë më pak të njohura e të frekuentuara nga kosovarët .”, shton blogerja.
Për, Vesa Ferizin, blogere tjetër, edhe pse blogun e ka nisur që jo shumë kohë, shkrimi ka qenë gjithmonë prezent në jetën e saj.
“Blogun e nisa atëherë kur e ndjeva veten të gatshme që t’i ndaj shkrimet e mia me të tjerët. Ajo cka më ka mbajtur entuziaste që prej atëherë kanë qenë komentet dhe reagime pozitive të lexuesëve e gjithashtu edhe ndryshimet që m’i solli blogimi në përceptimin e ngjarjeve të përditshme”, shton Vesa.
Për të blogu është shumë i rëndësishëm dhe i kushton shumë kohë dhe përkushtim, por që njëkohësisht i ofron edhe shumë kënaqësi.

“ Shkrimi në blog për mua është mënyra më efektive për ta ndarë një pjesë nga kultura ime (këtu i përfshij mendimet, ndjenjat dhe eksperiencat personale në lidhje me ngjarjet që ndodhin në komunitetin tim apo me tema të tjera më të gjëra si p.sh. jeta studentore apo tema aktuale në shoqëri –qofshin edhe ato thjesht virtuale). Kjo është edhe arsyeja pse zgjodha shprehjen “sharing a girl’s culture” si përshkrim të blogut. Rëndësia e këtij aktiviteti është e madhe për mua meqë ndaj shumë kohë dhe përkushtim për shkrimet (blog post-et) që i publikoj. Në fakt, lexuesit gjithmonë shohin vetëm shkrimin përfundimtar që merr jo më shumë se 5-6 minuta për ta lexuar, por që është produkt i një procesi që fillon shumë më hërët se sa dita kur publikohet. Procesi i planifikimit të blog post-eve, shkrimi dhe përkthimi i tyre dhe përshtatja e tyre në website është pjesa që mua më ofron më së shumti kënaqësi”, tregon blogerja.
Tutje, Vesa, thotë se nga përvoja saj, termi “blog” shpesh keqinterpretohet.
“ Unë zakonisht të gjitha blog post-et që i publikoj në webfaqen e blogut, i publikoj edhe si linqe nëpër rrjetet sociale që të jem sa më afër lexuesve. Kjo mënyrë për momentin është më e përshtatshme për lexuesit meqë rrjetet sociale i përcjellin më rregullisht se sa faqet e internetit. Një prej keqinterpretimeve që më ka rënë në sy është përdorimi i termit “Personal Blog” (Blog personal) në platfromën Instagram, ku fjala ka marrë konotacion që nuk e përfshin shkrimin si element kryesor fare e që bjen ndesh me definicionin e përmendur më lart”, shprehet blogerja.
Liza Sadiku, blogere tjetër tregon se lidhja saj me blogun fillon që nga klasa e tretë dhe rëndësinë e blogut në jetën e saj.

“ mund të tingëlloj klishe, mirëpo unë që nga klasa e 3 kam shkruar vargje poezish dhe esesh. Kur kam qenë në klasë të 11 ,në shkollë të mesme, më është rekomanduar WordPress-i si platformë virtuale ku mund të botoj shkrimet e mia, dhe kështu fillova të bërit blog, pra që nga viti 2017. Për mua, personalisht blogu është e vetmja “dritare” ku të tjerët munden për momentin t’shohin mendimet,idetë e mia për shumë tema. Mund të shohin mllefin ose gëzimin tim përmes vargjeve dhe eseve me motive të ndryshme”, shprehet blogerja.
Liza, gjithashtu shton se, me zhvlimin e rrjeteve sociale, po ngatërrohen termat “ blog” dhe “ influencer”
“Mendoj që njerëzit në Kosovë kanë ca njohuri për blogun në vija të trasha,mirëpo në anën tjetër edhe pikërisht me zhvillim të rrjeteve sociale po ngatërrohen termat “blog” dhe “influencer”. E kam vërejtë që influencerët quhen blogerë, në fakt të qenurit bloger do të thotë t;a kesh një sajt ose faqe interneti të caktuar në Ëordpress ose platformë tjetër dhe të shkruash për tema të caktuara , ndërsa ‘influencer’ është më shumë term i instagramit, ku ca persona me anë të reklamave nga produkte të ndryshme influencojnë shijet ose mendimet e njerëzve, pra nëpërmjet rrjetit social Instagram”, shprehet Liza.
Huffpost, shkruan se bloget e para u quajtën si revista online. Që nga ajo kohë, profesioni i blogerëve ka evoluar, dhe tani njerëzit bëjnë blog për shumë arsye të ndryshme. Madje ka dallime midis llojeve të blogeve – biznes, stil jetese, modë, ushqim dhe blog argëtues, ndër të tjera.
Ndërsa skena e blogeve është zhvilluar gjatë dekadës së fundit, përfitimet e blogeve janë ende të shumta.
Kurse, sipas Incomediary , 20 vjet më parë, bloget nuk ekzistonin. Sot, ka më shumë se 500 milion prej tyre. (nga 1.7 miliardë uebfaqe në të gjithë botën). Dhe vlerësohet se ka mbi 2 milion postime të reja në blog çdo ditë. /Viola Korça



