Boksieri që la Kosovën kritikon ashpër Federatën e Boksit të Kosovës
Ai ka thënë se me Selimin dhe disa kolegë të tij boksi kosovar është duke shkuar në humnerë, shkruan sot gazeta Zëri.
“Po më vjen shumë keq që disa njerëz e kanë çuar boksin edhe katër vjet prapa, sepse ata e votuan Ramadan Selimin, të njëjtin person i cili për tetë vjet, për dy mandate, nuk bëri asgjë në boksin kosovar, përpos anëtarësimit në AIBA me 100 të këqija prapa. Pa kushte, pa pagesa të boksierëve që përfaqësojnë Kosovën, pa drejtësi në përzgjedhje për gara ndërkombëtare”, ka shkruar Shala në “Facebook”, duke hedhur akuza edhe më të rënda në adresë të Selimit.
“Ky njeri është ai i cili i fyen faturat nëpër turne të ndryshëm e nëpër përgatitje. Unë jam dëshmitar kur ky njeri ka kërkuar nga hotel ‘Pavarësia’ në Prizren që ta rrisë faturën. Arsyeja: shpëlarje parash e përgatitjeve për Lojërat Evropiane ‘Baku 2015’. Ky njeri e ka shkatërruar turneun ‘Adem Jashari’, duke thënë se vijnë 12 shtete, e në fakt kanë ardhur vetëm tri shtete. Nga mosrespekti janë laruar shtetet prej këtij turneu, në të cilin nuk harxhohen para se i deklarojnë këta si federatë me mijëra euro. Këta shpërlajnë para me rritje faturash”, ka theksuar Shala.
Ai ka theksuar se Selimit ia ndalon statuti i AIBA-s kandidimi për mandatin e tretë.
Në anën tjetër, gazeta “Zëri” ka kontaktuar kreun e FboxK-së, Ramadan Selimin, i cili nuk ka dashur të komentojë rreth akuzave të rënda të ish-reprezentuesit të deritanishëm të Kosovës, i cili ka shkuar i zhgënjyer në Holandë.
“Unë nuk dua të komentoj sepse nuk merrem me Naser Shalën”, tha Selimi. /Zëri/



