“Bomba” e presidentit të Milanit: Donnarumma do të kalbet në stol
Gianluigi Donnnaruma dhe Milani nga “dashuria” në “luftë”. Pas refuzimit të ofertës për rinovim, 25 milionë euro në total për 5 vite, menaxheri Mino Raiola e shtyn atë drejt Realit të Madridit, edhe pse në garë fuqishëm është dhe Juventusi.
Ndërsa të gjithë zërat e shohin atë me valixhe në dorë drejt Spanjës, e përditshmja “Il Giornale” lëshon bombën, sipas së cilës, presidenti i kuqezinjve, Jonghong Li, mund të vendosë që ta përjashtojë lojtarin nga skuadra për sezonin e ardhshëm, por pa e lënë që të largohet nga Milani.
“Kam shpenzuar 800 milionë euro për të blerë Milanin, prandaj nuk besoj se, nëse nuk arrij të fitoj 40 milionë euro prej shitjes së tij do të falimentoj. Për këtë arsye, Donnarumma do të kalbet në stol deri në fund të kontratës së tij, meqenëse nuk i është dukur e denjë oferta jonë për të rinovuar kontratën.
Pasi të ngrohë stolin, mund të largohet i qetë verën e ardhshme…”, ka thënë presidenti i kuqezinjve.



