Bostoni e Clevelandi bëjnë detyrën, tjetër humbje për Lakersat e Dallasin
Cleveland fitoi sot 91-89 ndaj Miami, një fitore me përmbysje e skuadrës së Cavaliers, që korri suksesin e 31-të sezonal në NBA. Një përballje mes dy ekipesh që synojnë titullin në Lindje, ndaj dhe takimi ka qenë i hapur dhe me rivalitet. Madje Cavaliers përmbysën shifrat në fund falë 24 pikëve e 11 rebaund të LeBron James, duke i bërë të pavlefshme 18 pikët e Dragic për miqtë.
Në krye të renditjes në Konferencën e Lindjes qëndron Boston, që sot fitoi 103-73 ndaj New York, ndeshje e dominuar nga basketbollistët e Celtics, me 6 lojtarë që realizuan mbi 10 pikë (Morris 20 pikë, më i miri). Fitoren e vetme jashtë fushe sot e korri Charlotte, që mposhti 123-110 Atlanta, sfidë e dominuar nga miqtë, ku diferencën e bëri Walker, autor i 38 pikëve.
Nga nje ndeshje e NBA-se
Humbet sërish skuadra e Lakers, që sot u ndal nga Orlando, që triumfoi 127-105, duke korrur fitoren e 16-të sezonale. 7 lojtarë të skuadrës vendase realizuan mbi 10 pikë, me Speights që realizoi 21 pikë, më i miri në parket. Portland mposhti 124-108 Chicago dhe korri suksesin e 30-të sezonal, fitore që e afron me zonën e play off-it. Ndeshje fantastike e McCollum, autor i 50 pikëve, duke bërë diferencën në fushë. Sukses i vështirë për Indiana, që mposhti 105-101 Memphis, ndeshje e hapur deri në fund. Vendimtar për vendasit ishte Bogdanovic me 21 pikë, mbështetur edhe nga 6 lojtarë të tjerë që realizuan mbi 10 pikë. Phoenix fitoi 102-88 ndaj Dallas , një përballje mes dy ekipesh që kanë zhgënjyer këtë sezon (Jackson 21 pikë).
REZULTATET E SOTME
Indiana – Memphis, 105-101
Orlando – Lakers, 127-105
Atlanta – Charlotte, 110-123
Brooklyn – Philadelphia, 116-108
Cleveland – Miami, 91-89
Boston – New York, 103-73
Portland – Chicago, 124-108
Phoenix – Dallas, 102-88



