“Brenda një jave nëna me kancer, babai me infarkt dhe unë shtatzënë” – Tuna rrëfen periudhën më të vështirë të jetës (Video)
Këngëtarja e njohur shkupjane Altuna Sejdi – Tuna, ka ndarë një nga rrëfimet më prekëse të jetës së saj në një intervistë të fundit në emisionin “The Dalina Show”.
Këtë herë, artistja foli me sinqeritet për vështirësitë e mëdha që kaloi gjatë shtatzënisë së saj të dytë, periudhë e cila përkoi me ngjarje dramatike në familjen e saj.
“Unë me Patrisin u divorcuam në shtatzëninë time të dytë dhe ishte një vendim shumë i vështirë në atë kohë”, – tha këngëtarja e hitit “Bileta”, duke shpalosur për herë të parë emocionet dhe peshën që kishte marrë përsipër.
Në një rrëfim që lë pa fjalë, Tuna tregoi se brenda vetëm një jave, nëna e saj u diagnostikua me kancer në gji, ndërsa babai pësoi infarkt. E ndërkohë, ajo ishte në pritje të djalit të saj të dytë.
“Prandaj Zeni [emri i djalit] është Zen” – shpjegoi ajo. “Sepse ishte lufta ime për qetësi, për balancë – që ta mbaja shpirtin tim të qëndrueshëm dhe ta përgatisja veten për rolin e ri si një nënë e vetme”.
Këngëtarja u shpreh se në atë periudhë, divorcin e kishte lënë si një çështje dytësore, pasi përballë kishte beteja shumë më të mëdha: “Ishte aq shumë për të përballuar, saqë thjesht divorcin e lashë anash. Nuk ishte më prioritet, sepse familja ime kishte nevojë për mua, dhe unë duhej të isha e fortë”./Periskopi/



