Bugaqku nga KDI: Hetimi të mos ndalet te komisionerët, të vazhdojë edhe me kandidatë
Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka deklaruar se gjatë rinumërimit të votave janë evidentuar manipulime dhe falsifikime të rezultateve në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Ne si organizatë kemi vlerësuar se ky ka qenë një vendim i duhur, për faktin se qysh në javën e parë kanë dalë manipulime të votave dhe të rezultateve të kandidatëve për deputet. Prandaj kemi vlerësuar se, për të rritur transparencën dhe për të ruajtur besimin e qytetarëve, KQZ-ja duhet domosdoshmërisht të fillojë rinumërimin e tërësishëm të votave në të gjitha vendvotimet,” u shpreh Bugaqku në Tëvë1.
Ai bëri të ditur se KDI ka kërkuar nga institucionet përkatëse dhe Prokuroria e Shtetit që të nisin hetime në të gjitha komunat ku janë identifikuar raste të manipulimit dhe falsifikimit të rezultateve.
“Ne si institucion po ashtu kemi kërkuar nga institucionet përkatëse dhe nga Prokuroria e Shtetit që të fillojë hetimi në të gjitha komunat ku ka pasur manipulim dhe falsifikim të rezultateve për kandidatët për deputet,” tha ai.
“Ky hetim nuk duhet të përfshijë vetëm përgjegjësinë e komisionerëve të KQZ-së që kanë falsifikuar rezultatet e votimit, por duhet të zgjerohet edhe më tej, duke përfshirë edhe kandidatët që potencialisht kanë nxitur apo shtyrë falsifikimin e votave,” përfundoi Bugaqku.



