“Çfarëdo vendimi tjetër do të ishte skandaloz”- Avokati i familjes së Agon Zejnullahut mirëpret vendimin për paraburgim ndaj policëve
Avokati i familjes së të ndjerit, Agon Zejnullahu, Asdren Hoxha, ka thënë se ka qenë e pritur që do të caktohet paraburgimi për pesë policët të cilët dyshohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.
“Sapo e morëm lajmin për paraburgim. Krejtësisht e pritshme. Çfarëdo vendimi tjetër do të ishte skandaloz”, ka thënë Hoxha.
Sipas tij, janë plotësuar të gjitha kushtet që Gjykata të caktonte paraburgimin për policët e arrestuar.
Avokati kosovar ka thënë se kjo ngjarje ka shqetësuar shumë opinionin publik në Kosovë dhe sipas tij, vendimi i Gjykatës për caktim të paraburgimit e ka qetësuar paksa situatën. Hoxha ka thënë se pas transmetimit të videos ekskluzive të arrestimit të Agon Zejnullahut nga pesë policët në emisionin “Pressing” të T7, e kanë kontaktuar njerëz të shumtë të cilët s’kanë mundur ta bëjnë gjumin rehat për shkak të asaj se si përfundon jeta e një të riu 27 vjeçar në duart e 5 policëve.



