Ch. League, Gr. B: PSG i jep leksion kampionëve gjermanë, Celtic mposht me lehtësi Anderlechtin (Video)
PSG ka lënë pas krahëve zënkat për penalltitë dhe goditjet e dënimit dhe për një natë është kthyer në makinerinë e frikshme të sulmit që ëndërronin të ndërtonin sheikët e Katarit kur shpenzuar qindra miliona euro për të afruar Nejmar e Mbape.
Parisienët kanë dhënë provën më të mirë sot duke mundur Bajern Mynihun me rezultatin 3-0 dhe duke vënë në diskutim vazhdimësinë e Karlo Ançelotit në pankinën e bavarezëve.
Goli i pare erdhi pa filluar mirë ndeshja, që në minutën e dytë pas një aksioni të shpejtë të Nejmar, të finalizuar nga Dani Alvesh. Bajerni u përpoq në të gjitha mënyrat të kthehej në ndeshje dhe krijoi disa raste para portës vendase. Por në minutën e 31-të, një tjetër aksion i rrufeshëm i PSG-së solli edhe golin e dytë, këtë radhë pas një kombinimi Mbape-Kavani, me uruguaianin që dërgoi topin në rrjete me një goditje të fuqishme.
Nuk mund të mungonte edhe goli i Nejmar, që provoi disa herë të gjente rrugën e rrjetës derisa kaloi Ulraih pas një tjetër kundërzbritje të Mbape që shpartalloi mbrojtjen bavareze. Reagimi i gjermanëve thuajse nuk ekzistoi deri në vërshëllimën përfundimtare dhe PSG mori një fitore të pastër 3-0 që e konfirmon si ekipin kryesor në grup.
Ndërkaq, në ndeshjen tjetër, Sëlltiku ka mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit me një fitore të pastër 3-0 në fushën e Anderleht, për të arritur bavarezët në kuotën e 3 pikëve.
Ndeshjet
PSG-Bajern Mynih 3-0
2′ D. Alvesh, 31′ Kavani, 63′ Nejmar
Anderleht-Sëlltik 0-3
38′ Grifiths, 50′ (ag) Kara, 90’+2′ Sinkler



