Cilat ishin pretendimet e Këshillit Prokurorial në përgjigje ndaj padisë së Besim Kelmendit?
Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar kërkesën e Besim Kelmendit për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë dhe për pezullimin e vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), me të cilin ai ishte shkarkuar nga pozita e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Besim Kelmendi i cili në mbledhjen e 20 nëntorit 2025 të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, më 25 nëntor 2025 kishte ushtruar padi ndaj KPK-së, duke kërkuar anulimin e vendimit të Këshillit. Po ashtu, Kelmendi kishte propozuar edhe caktimin e masës së përkohshme të sigurisë- pezullimin e zbatimit vendimit të KPK-së dhe të vazhdojë ushtrimin e pozitës së U.D Kryeprokurorit të Shtetit deri në vendosjen meritore në këtë çështje administrative.
Këshilli Prokurorial në përgjigje në padi kishte kërkuar refuzimin e padisë dhe kërkesës për masë të përkohshme
Më 4 dhjetor 2025 kishte parashtruar përgjigje në padi Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i cili vlerësoi se pretendimet e paditësit janë të pasakta, të pabazuara dhe të ndërtuara në interpretim të gabuar të fakteve, procoedurës së ndjekurr, si dhe bazës ligjore të përcaktuar në dispozitat e Ligjit për KPK-në dhe ndryshimeve të tij, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas përgjigjes në padi që ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, KPK-ja i ka kërkuar Gjykatës që kërkesën për caktimin e masë së përkohshme dhe padinë e paditësit, t’i refuzojë në tërësi si të pabazuara.
Pretendimet lidhur me numrin e anëtarëve:
Lidhur me pretendimet përkitazi me numrin e anëtarëve, Këshilli thotë se aktualisht ka 10 anëtarë dhe jo 11, prej tyre 9 të zgjedhur dh 1 ex officio- në rastin konkret, ai thotë se këtë rol ia ka rezervuar ligji ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Sipas përgjigjes në padi, numri prej 11 anëtarëve të cilit i është referuar paditësi në padi është i pasaktë dhe se paditësi qëllimisht ka shtrembëruar këtë fakt, pasi sipas tyre, numri i anëtarëve është 10.
“Rrjedhimisht, paditësi ka prezantuar rrethana të pasakta dhe të shtrembëruara në lidhje me këtë fakt të pakontestueshëm”, thuhet në përgjigje në padi.
Sa i përket anëtarit të 11-të, përkatësisht prokurorin anëtar nga komuniteti serb, aty thuhet se me largimin e serbëve nga detyra më 2022, ata janë pezulluar nga detyra, e që rrjedhimisht edhe ky prokuror nuk ushtron funksionin e prokrorit të shtetit dhe nuk merr pjesë në takimet e KPK-së. Andaj, sipas tyre, nuk mund të konsiderohet anëtar i KPK-së, e as nuk merr pagë e të hyra tjera.
“Andaj, anëtari i komunitetit serb, i pezulluar dhe larguar nga detyra dhe funksioni, nuk llogaritet anëtar i KPK-së dhe rrjedhimisht nuk mund të llogaritet as për çështje të kuorumit të KPK-së”, thekson KPK-ja.
Pretendimet për mbylljen e takimit:
Sipas përgjigjes në padi, paditësi Kelmendi pretendon se takimi i 20 nëntoit ishte mbyllur nga kryesuesi dhe më vonë është hapur takim i ri. Sipas tyre, ky pretendim është i pasaktë sepse në video-incizim zyrtar të takimit shihet se kryesuesi nuk e deklaron të mbyllur takimin, por e vë në dyshim ekzistimin e kuorumit- për të cilin kërkon lexim të ligjit dhe verifikim të dispozitave që i referohen përbërjes së kuorumit. Theksohet se anëtarët nuk largohen nga takimi, por bëhet një pauzë e shkurtër për konsultim.
Më tej, thuhet se asnjë deklarim verbal ose procedural i kryesuesit, nuk e shënon fundin e takimit, nuk ka deklarim të mbylljes e as përfundim të rendit të ditës, dhe se s’ka shënim apo konstatim në procesverbal se takimi kishte përfunduar.
“Kthimi i anëtarëve në Sallën e Takimeve, në prani të mediave, të cilat nuk e kishin lëshuar sallën pas pauzës, provon dhe vërteton vazhdimësinë e Takimit të ndërprerë për një pauzë të shkurtës. Për rrjedhojë, pretendimi për “Takim të ri” është i pasaktë”, thuhet në përgjigjen e Këshillit ndaj padisë së Besim Kelmendit.
Çështja e formimit të kuorumit:
Këshilli Prokurorial thotë se sipas plotësim/ndryshimit të Ligjit për KPK-në, neni 37/A (par.1) përcakton se: Deri në zbatimin e përbërjes së përhershme të Këshillit prej (7) shtatë anëtarësh, kuorumi i Këshillit formohet me gjysmën e anëtarëve të zgjedhur të Këshillit plus (1) një anëtarë, duke përfshirë edhe rastet disiplinore, dhe vendimet merren me shumicë të thjeshtë votash të anëtarëve të pranishëm…“.
Sipas KPK-së, në këtë rast anëtarët e zgjedhur janë gjithsej 9, e që kuorumi funksional në këtë rast është 5 e jo 6. Vetë Kelmendi, thuhet se u largua nga takimi sepse çështja kishte të bënte me pozitën e tij.
“Largimi i tij është i detyrueshëm në prizmin e trajtimit të konfliktit të interesit, andaj largimi i tij nga Takimi kur është shtruar një kërkesë për shkarkimin e tij, nuk e ulë kuorumin, sepse anëtari që duhet të përjashtohet nuk llogaritet në kuorum dhe vetëpërjashtohet ex officioni apo me automatizëm”, thuhet më tej.
Andaj, sipas KPK-së, në këtë rast në vendimmarrja për këtë pikë marrin pjesë 9 anëtarë të zgjedhur, e që kuorumi kur preket një anëtar i cili duhet përjashtuar, llogaritet në numrin e mbetur të anëtarëve që kanë të drejtë të votojnë. Në sallë ishin pesë anëtarë- që të gjithë të zgjedhur. Sipas tyre, s’kishte asnjë dilemë që kisht kuorum për vazhdimin e takimit.
Lidhur me përbërjen e kuorumit, thuhet se Ligji për plotësim/ndryshimin e Ligjit për KPK, ku përcaktohet një dispozitë që rregullon çështjen e kuorumit në rastet e mungesës së vazhdueshme të anëtarëve në takim.
“Në nenin 19 të ligjit bazik, pas paragrafit 3, shtohet paragraf i ri 3/a, me tekstin në vijim: 3/a Në rast të mos pjesëmarrjes së vazhdueshme të anëtarit në takimet e Këshillit, iniciohet procedurë disiplinore ndaj këtij anëtari. Përjashtimisht nga dispozitat tjera të Ligjit, kuorumi i Këshillit në këto raste dhe rastet tjera në vijim të mos pjesëmarrjes së vazhdueshme të disa anëtarëve të Këshillit, forcohet me së paku (4) katër anëtarë të Këshillit, dhe vendimet merren me votat e të gjithë këtyre (4) katër anëtarëve të Këshillit”, thuhet në vendim.
Kurse, thuhet se në nenin 13 është pltësuar/ndryshuar neni 15 i ligjit bazik, ku janë hartuar dy paragrafë të rinj, ku përcaktohet se “1. Kuorumi i Këshillit formohet me (5) anëtarë, duke përfshirë edhe rastet disiplinore, përveç nëse parashihet ndryshe me ligj. 2. Vendimet e Këshillit meren me shumicë të thjeshtë votash të të gjithë anëtarvëve, përveç nëse parashihet ndryshe me ligj”.
Sa i përket shkarkimit, thuhet se ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit nuk emëroohet me dekrt, ka mandat të përcaktuar, nuk ka të drejtë të vazhdojë detyrën pa afat dhe nuk gëzon të drejtat e një funksionari të emëruar. Aty thuhet se u.d nuk ka të drejtë të kërkojë trajtim të barabarë me Kryeprokurorin e Shtetit të emëruar me dekret të Presidentit. E që sipas tyre, ky precedent kushtetutes rrëzon pretendimin e paditësit mbi këtë bazë.
Sipas KPK-së shkakrimi i paditësit nuk ka qenë arbitrat, por ii bazuar në veprime të papranueshme institucionale të u.d Kryeprokurorit të Shtetit, duke marrë pozicion publik të njëanshëm, duke lëkundur në thelb rolin unifikues që do duhej ta kishte u.d Kryeprokurori i Shtetit.
KPK-ja thotë se qëndrimi dhe ushtrimi i kësaj pozite për afër 4 vjet, bie në kundërshtim edhe me praktikën juridike kudo në Kosovë dhe me siguri edhe në vendet tjera. Sipas tyre, kjo është arsye e ligjshme që provon faktin se Këshilli do duhej të rivlerësonte vazhdimin e detyrës së tij apo ndërprerjen e saj.
Aty thuhet se u.d nuk ka mandat, nuk është zyrtar i emëruar dhe se nuk ka të drejtë të qëndrojë në detyrë pa afat të caktuar dhe se pozita e tij buron nga nevoja funksionale, jo nga e drejta subjektive.
Sipas Këshillit, vendimmarrja për ndrysimin e ushtruesit të detyrës nuk përbën “shkarkim” nga pozita bazë- e prokurorit të shtetit në ZKPSH, por vetëm “zëvendësim” nga detyra e përkohshme.
Më tej, thuhet se Kelmendi ka qenë i pranishëm në fillim të takimit, rendi i ditës në agjendë është bërë nga organi me shumicë votash, ndërsa që u.d për shkak të konfliktit të interesit, është vetëpërjashtuar nga takimi, dhe se vendimi është marrë nga organi kompetent me kuorum të vlefshëm. Pra, jo vetëm që procedua ligjore është respektuar, por sipas tyre, është tejkaluar ky standard.
Propozimi për masë të përkohshme:
Këshilli thekson se pozita e ushtruesit të detyrës nuk garanton mandat dhe se humbja e kësaj pozite nuk i shkakton asnjë humbje të ndonjë të drejte të garantuar me ligj dhe nuk prodhon pasoja të pakthyeshme juridike. KPK vlerëson se pretendimet për dëm janë të natyrës subjektive dhe nuk përbëjnë kriter ligjor për venosje të masës së përkohshme.
Këshilli thotë se duke qenë e pazbatueshme në rastin konkret, Gjykata do duhej ta refuzonte këtë masë.
Gjithnjë sipas përgjigjes në padi, organet kolegjiale sikurse është KPK-ja, duhet të funksionojnë pa pengesa.
“Vendimi i kontestuar është marrë për të garantuar integritetin, pavarësinë dhe mos përplasjen e interesave, në përputhje me kushtetutën dhe ligjin”, thuhet më tej.
Sipas KPK-së, vendimi është marrë në përputhje me ligjin dhe praktikën e organeve kolegjiale. Prandaj, nuk ekziston bazë as minimale për të krijuar dyshim të arsyeshëm se vendimi mund të shpallet i paligjshëm në fund të procesit.
Bazuar në këto, KPK-ja konkludon se: Takimim ka pasur kuorum të vlefshëm, takimi nuk është mbyllur/përfunduar në asnjë moment, por vetëm është ndërprerë shkurtimisht për një pauzë me qëllim të konsultimit të nevojshëm, ndërmjet kryesuesit dhe anëtarëve të KPK-së, vendimi është ligjor dhe i nxjerrë nga organi kompetent, paditësi nuk ka të drejtë procedurale për ballafaqim në KPK për vendimin e marrë ndaj tij, u.d nuk ka mandat apo garanci juridike, nuk ekziston dëm i pariparueshëm dhe nuk ka asnjë cenim të interesit publik dhe padia ëshë pabazuar.
Në fund, KPK-ja ka thënë se Kelmendi vazhdon të jetë prokuror i shtetit, andaj pretendimi i dëmit të pariparueshë është i pabazuar.
Andaj, KPK-ja përmes pëgjigjes në padi ka kërkuar nga Themelorja të refuzojë padinë në tërësi si të pabazuar, të refuzojë kërkesën për masë të përkoshme, pasi që nuk janë përmbushur kushtet sipas Ligjit për Konfliktet Administrative dhe të konstatojë se vendimi i KPK-së është i ligjshëm, i marrë në kuorum, në procedurë të rregullt dhe brenda mandatit e kompetencave të KPK-së.
Çka thuhet në padinë e Besim Kelmendit?
Ndryshe, shkarkimi i Kelmendit nga kjo pozitë, u bë me votat e pesë anëtarëve të zgjedhur të KPK-së të cilët ishin të pranishëm në takimin e 20 nëntorit, pasi fillimisht takimi u mbyll në mungesë kuorumi me largimin e Kelmendit dhe katër anëtarëve tjerë nga kjo mbledhje.
Sipas padisë për inicimin e konfliktit administrativ me propozimin për caktim të masës së përkohshme, përkundër se vendimi i të paditurës KPK është për shkarkimin e paditësit, meqë nuk është ndjekur procedurë disiplinore dhe vendimi si i tillë nuk paraqet Vendim për masë disiplinore për paditësin, paditësi nuk mund të ushtrojë të drejtën e mjetit juridik të ankesës në Gjykatën Supreme. siç e garanton neni 19 paragrafi 4 i Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Në padinë e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se KPK-ja në vendimin për shkarkimin e paditësit nuk e ka trajtuar rastin në kuptimin disiplinor, por nga vetëm 5 prej 10 anëtarëve e zgjedhur të KPK-së është marrë si kinse një nga vendimet e zakonshme të KPK-së, që përbëjnë akt administrativ.
Andaj, duke qenë se KPK është institucion i pavarur siç e garanton Kushtetuta dhe nuk ka organ epror për të shqyrtuar ankesën ndaj vendimeve të tij, paditësi paraqiti drejtpërdrejt këtë padi në këtë Gjykatë.
Në padi theksohet se më 20 nëntor u thirr takimi i KPK-së, i cili për pikë të rendit të ditës kishte: Raportin e komisionit zgjedhor nga radhët e prokurorive themelore nga komuniteti joshumicë apo gjinia e nënpërfaqësuar i datës 3 nëntor 2025. Por, para miratimit të rendit të ditës, zëvendëskryesuesja Jehona Grantolli propozoi që në rendin e ditës të futet edhe shkarkimi i paditësit nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Pas këtij propozimi, pesë anëtarët e KPK-së – paditësi si anëtarët e KPK-së, Veton Shabani, Arian Gashi, Visar Krasniqi dhe Dardan Vuniqi – fillimisht e kundërshtuan këtë propozim, duke e konsideruar arbitrar dhe të kundërligjshëm, e më pas e lëshuan menjëherë takimin e Këshillit. E që, në padi thuhet se me largimin e tyre, kuorumi bie automatikisht në më pak se minimumin e kërkuar me ligj.
Më tej, thuhet se kryesuesi Ardian Hajdaraj, duke vepruar sipas detyrimit të tij ligjor, e mbylli mbledhjen për shkak të mungesës së kuorumit, e cila juridikisht prodhon efekt përfundimtar, duke shënuar fundin e çdo kompetence për vendimmarrje deri në thirrjen e një mbledhjeje të re.
“Megjithatë, kryesuesi i KPK-së, pasi e mbylli zyrtarisht mbledhjen duke konstatuar mungesën e kuorumit, në të njëjtën ditë caktoi një takim të ri pas vetëm disa minutave. Në takimin e ri të pesë anëtarëve të Këshillit Prokurorial, morën pjesë vetëm: Jetish Maloku, Jehona Grantolli, Ariana Shajkovci, Milot Krasniqi dhe kryesuesi Ardian Hajdaraj, ndërsa nuk ishin të njoftuar apo të ftuar fare anëtarët tjerë të Këshillit: Arian Gashi, Veton Shabani, Dardan Vuniqi dhe Visar Krasniqi, si dhe tani paditësi Besim Kelmendi. Në këtë takim të dytë vetëm nga 5 anëtarë të KPK-së është marr vendimi KPK.nr.2062/2025 i datës 20.11.2025, me të cilin paditësi është shkarkuar nga pozita e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në padi.
Sipas padisë, rënia e kuorumit e bën juridikisht të pamundur çdo vendimmarrje dhe se vendimmarrja pas mbylljes së mbledhjes, pa thirrje të re, është akt i nxjerrë në kundërshtim me procedurën thelbësore dhe, si e tillë, përbën shkak të pavlefshmërisë absolute.
Aty potencohet se neni 37/A i Ligjit nr. 08/L-249 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i titulluar si dispozitë kalimtare, përcakton qartë dhe në mënyrë imperative se: “Derisa të zbatohet përbërja e përhershme e Këshillit prej shtatë (7) anëtarësh, kuorumi i Këshillit formohet me gjysmën e anëtarëve të zgjedhur të Këshillit plus një (1) anëtar, duke përfshirë edhe rastet disiplinore, dhe vendimet merren me shumicë të thjeshtë votash të anëtarëve të pranishëm.”
“KPK aktualisht sipas një analize të vet KPK-së, ka njëmbëdhjetë (11) anëtarë të zgjedhur. Duke u bazuar në formulën eksplicite të nenit 37/A, kuorumi i domosdoshëm për mbajtjen e mbledhjes dhe për marrjen e çdo vendimi është: gjysma e anëtarëve të zgjedhur (11 : 2 ≈ 5,5) e rrumbullakosur në pesë (5), plus një (1) anëtar – pra gjithsej gjashtë (6) anëtarë”, thuhet në padi.
Por, në padi thuhet se në momentin e marrjes së vendimit të kontestuar, në sallë kanë qenë vetëm pesë anëtarë të KPK-së, gjë që e bën të pamundur formimin e kuorumit të nevojshëm.
“Për pasojë, KPK nuk ka pasur organ kolegjial të konstituuar në atë çast dhe, si rrjedhim, nuk ka pasur as kompetencë funksionale për të marrë vendime”, thuhet në vendim.
Andaj, sipas padisë, çdo vendim i marrë në këto rrethana është absolutisht i pavlefshëm.
Gjithnjë sipas padisë, është e pavërtetë ajo që theksohet në vendimin e KPK-së se “… pas një pauze të shkurtër vazhdoi takimi”, ngase kryesuesi Ardian Hajdaraj takimin e mbylli në mungesë kuorumi.
Për këtë arsye, paditësi pretendon se vendimi për shkarkimin e tij, marrë nga vetëm pesë anëtarë, është: i marrë nga organi jo-kompetent, në mungesë të kuorumit të detyrueshëm, në një takim të ri pas mbylljes së takimit të parë dhe pa respektuar normën imperative të nenit 37/A. Kështu që, paraqet akt administrativ të pavlefshëm.
Sipas padisë, KPK e ka trajtuar shkarkimin e paditësit sikur të ishte miratimi i një plani pune apo vendim rutinë administrativ, pa e vënë në lëvizje mekanizmin e komisionit disiplinor, pa hetim, pa mbledhje provash, pa dhënien e mundësisë së dëgjimit të subjektit, dhe pa respektuar pragun e kërkuar të 2/3 të votave.
Gjithashtu, në padi thuhet se KPK-ja pretendon se paditësi paska “shprehur qëndrim të njëanshëm publik”, pa theksuar së si u shpreh ky qëndrim, dhe këtë e konsideron si “denigrim të pozitës”.
“Ligji nuk e njeh këtë formulim si shkak për shkarkim. Nuk ekziston asnjë dispozitë ligjore që e bën “deklarimin publik” arsye për shkarkimin e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit. Aq më tepër pa asnjë procedurë ligjore”, thuhet në padi.
Në padi po ashtu përmendet se lidhur me këtë vendim të Këshillit, Bashkimi Evropian ka konstatuar se vendimi: shpërfill sundimin e ligjit, dëmton besimin publik dhe minon përparimin drejt BE-së.
Këshilli Prokurorial, sipas paditësit, veproi pa kuorum; veproi pas mbylljes së mbledhjes, pa një thirrje të re, pa procesverbal të vlefshëm, dhe duke e tejkaluar në mënyrë të papranueshme kompetencën e vet ligjore.
“Praktika e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës konfirmon në mënyrë të përsëritur se: aktet e nxjerra nga organ pa kompetencë materiale ose funksionale nuk krijojnë efekt juridik (p.sh. KI 99/14); kuorumi është kusht themelor për vlefshmërinë e vendimeve të organeve kolegjiale (p.sh. KI 196/21); ndërhyrjet arbitrare në mandatin dhe statusin e institucioneve të pavarura janë antikushtetuese (p.sh. KO 73/16); dhe ndërprerja e mandatit pa procedurë të rregullt shkel sigurinë juridike (p.sh. KI 64/18)”, theksohet në padi.
Andaj, Kelmendi ka kërkuar të aprovohet si e bazuar kërkesëpadia e tij, të anulohet vendimi i Këshillit Prokurorial dhe i njëjti të kthehet në pozitën e ushtruesit të detyrës zyrtare. Dhe që i padituri t’ia paguajë shpenzimet e procedurës.
Me anë të padisë, paditësi ka paraqitur edhe kërkesë për vendosjen e masës së përkohshme të sigurisë me qëllim të ruajtjes së gjendjes juridike ekzistuese dhe parandalimin e një dëmi të rëndë dhe të pakthyeshëm deri në marrjen e një vendimi meritor, si dhe sigurimi që procesi gjyqësor të zhvillohet me kuptim e efekt.
Sipas padisë, vendimi i KPK-së ka krijua dëm të rëndë real, të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejt dhe të pakthyeshëm, si pasojë e veprimit të kundërligjshëm, sepse paditësi mund të humbasë pozitën e tij si Ushtrues Detyre i Kryeprokurorit të Shtetit.
Aty thuhet se pozita e Kryeprokurorit të Shtetit është funksioni më i lartë brenda sistemit prokurorial dhe çdo ndërhyrje e paligjshme në ushtrimin e saj prodhon pasoja të thella profesionale dhe institucionale. Thuhet se humbja e kësaj pozite qoftë edhe përkohësisht, krijon pasoja reputacionale dhe profesionale që nuk mund të zhbëhen me një vendim të mëvonshëm gjyqësor
Në padi theksohet se shkarkimi i paligjshëm prek drejtpërdrejt autoritetin, integritetin dhe figurën publike të paditësit, duke shkaktuar një dëm që nuk mund të pakthyeshëm nëse masa nuk vendoset menjëherë.
“Çdo ndryshim në krye të institucionit, i bazuar në një akt të pavlefshëm, prodhon efekte zinxhirore të pakthyeshme si brenda institucionit, ashtu edhe në perceptimin e publikut dhe në stabilitetin e sistemit prokurorial”, thuhet në padi.
Më tej thuhet se vendosja e masës së përkohshme të sigurisë jo vetëm që nuk e cenon interesin publik, por e mbron drejtpërdrejt atë.
Andaj, Kelmendi ka kërkuar të aprovohet propozimi për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë dhe të pezullohet zbatimi i vendimit të KPK-së dhe paditësi të vazhdojë të ushtrojë detyrën e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit deri në vendosjen meritore në këtë çështje administrative.
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, është shkarkuar nga kjo pozitë në mbledhjen e së enjtes (20 nëntor 2025) me vendim të marrë nga pesë anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
KPK-ja pas shkarkimit të Kelmendit, si u.d Kryeprokuror të Shtetit caktoi prokurorin Agron Qalaj.
Më 19 nëntor, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) në cilësinë e dëshmitarit lidhur me procesin hetimor për masakrën e Reçakut.
Kelmendi pas intervistimit kishte deklaruar se deri më 2001 s’ka qenë në Reçak.
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurit të Shtetit, Besim Kelmendi në mbledhjen e Këshillit pasi u propozua shkarkimi i tij nga kjo pozitë, kishte deklaruar se kjo është e planifikuar në mënyrë që në këtë pozitë të vijë njeriu i besueshëm i atyre që po dëshirojnë ta shkarkojnë.
Një ditë më parë, anëtari i KPK-së, Visar Krasniqi, e bëri drejtpërdrejt përgjegjës kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajn, duke thënë se ai qëndron prapa gjithë procesit të shkarkimit të Besim Kelmendit.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës i ka cilësuar të pasakta dhe ta pabazuara deklarimet disa anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës se Blerim Isufaj qëndron prapa shkarkimit të u.d të Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.
Zyra e BE-së ka reaguar duke thënë se shkarkimi i Kelmendit pengon reformën e nevojshme të KPK-së dhe progresin e Kosovës në rrugën drejt BE-së
Ndërkohë, IKD ka vlerësuar se shkarkimi abuziv i U.D. Kryeprokurorit të Shtetit është tentativë e qartë për ruajtjen e strukturës korporatiste në KPK.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se në koordinim me shtetet e QUINT-it po analizojnë zhvillimet serioze në KPK. Tha se është e pafalshme që 26 vjet pas luftës anëtarët e Këshillit ndihen të kërcënuar.
Pesë anëtarët e KPK-së që vendosën për shkarkimin e Kelmendit, i vlerësuan si të pavërteta e të pabazuara deklarimet për kërcënime ndaj pjesës tjetër të anëtarëve. /BetimipërDrejtësi



