Cilat projektligje u miratuan dje në Kuvend?

Cilat projektligje u miratuan dje në Kuvend?

Në seancën e jashtëzakonshme plenare të pasdites së djeshme në Kuvendin e Kosovës janë miratuar në parim dhjetë projektligje.

Fillimisht, pas një debati rreth dyorësh, Kuvendi miratoi në parim Projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Tregut, me 63 vota pro, 19 kundër dhe asnjë abstenim.

Debat dhe diskutim pati edhe për Projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, i cili kaloi në parim me 65 vota për dhe asnjë kundër.

Po ashtu, Projektligji për Shërbimet e Pagesave kaloi me 63 vota për dhe një kundër, ndërsa Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim u miratua me 62 vota për dhe dy kundër.

Projektligji për Lojërat Mesdhetare XXI Prishtina 2030 mori mbështetjen e 81 deputetëve, pa asnjë votë kundër.

Ndërkohë, Projektligji për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore kaloi me 61 vota për, nëntë kundër dhe një abstenim.

Edhe Projektligji për Banim Social dhe të Përballueshëm u miratua me 62 vota për dhe dy kundër.

Me 62 vota për dhe asnjë kundër kaloi Projektligji për Shtetësinë e Kosovës, ndërsa ai për Lëndët Plasëse u miratua me 61 vota për dhe tetë kundër.

Projektligji i fundit në rendin e ditës, ai për Provimin e Maturës Shtetërore, kaloi me 62 vota për dhe tetë kundër.

Me këtë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i mbylli punimet e kësaj seance, e cila nisi pak pas orës 17:00.

Shpërndaje në: