Cili model i integrimit të arsimit dhe shëndetësisë serbe në Kosovë mund të jetë në lojë?

Cili model i integrimit të arsimit dhe shëndetësisë serbe në Kosovë mund të jetë në lojë?

Dhënia e kompetencave ekzekutive përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si model për integrimin e arsimit dhe shëndetësisë në sistemin e Kosovës, është, sipas politikanes nga Kosova, Rada Trajkoviq, opsioni i vetëm për mbijetesën e qëndrueshme të komunitetit serb.

Ajo thotë se nuk mund të ketë dallime nga sistemi arsimor i Republikës së Serbisë, sepse, në të kundërtën, do të “rrezikohej” pozita dhe mbijetesa e serbëve në Kosovë.

Trajkoviqi ka qenë drejtoreshë e Shtëpisë së Shëndetit në Graçanicë, ka ligjëruar në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit në Mitrovicë të Veriut, i cili vazhdon të funksionojë nën sistemin e Serbisë, dhe ka qenë gjithashtu deputete në Kuvendin e Kosovës.

Nga ana tjetër, sociologu nga Prishtina Artan Muhaxhiri, njëherësh njohës i rrethanave politike, vlerëson se qasja më logjike për integrimin e institucioneve arsimore dhe shëndetësore – të cilat në zonat me shumicë serbe në Kosovë vazhdojnë të funksionojnë nën sistemin e Serbisë – do të ishte “eklekticizmi pragmatik”, përkatësisht “identifikimi i modeleve ndërkombëtare ekzistuese të një natyre të ngjashme” dhe “përzgjedhja e zgjidhjeve që do të ishin të përshtatshme për Kosovën”.

“Nuk do të ishte e nevojshme të fillohej nga zeroja, sepse praktika të tilla të integrimit të pakicave, madje edhe brenda kornizave të ndërlikuara, janë aplikuar për dekada me radhë dhe në shumë situata të ndryshme”, thotë ai.

Qeveria e Kosovës, pa një qëndrim të qartë për modelet e integrimit

Çështja e integrimit të kujdesit shëndetësor dhe arsimit serb në Kosovë u ngrit në shtator të vitit të kaluar, kur kryeministri Albin Kurti tha se sistemi i dyfishtë nuk është i qëndrueshëm dhe se duhet bërë “inkorporimi dhe bashkimi i tij”.

Atëkohë, ai tha se për këtë integrim do të punohet së bashku me përfaqësuesit politikë të komunitetit serb, por edhe me bashkësinë ndërkombëtare.

Këtë mesazh ua përcolli sërish ambasadorëve të vendeve të QUINT-it – SHBA-së, Francës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Italisë – në mes të janarit të këtij viti.

Por, deri më tani, nuk u specifikua qartë se cilat modele të integrimit janë duke u konsideruar.

Lidhur me këtë çështje, Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve.

Më 10 shkurt, ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se pesë-gjashtë javët e ardhshme janë shumë të rëndësishme për integrimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor dhe arsimor serb dhe shtoi se të gjithë duhet të jenë konstruktivë për këtë çështje.

Në fund të javës së kaluar, Bashkimi Evropian tha se statusi i strukturave dhe shërbimeve shëndetësore dhe arsimore, të mbështetura nga Serbia në Kosovë, do të zgjidhet brenda kornizës së dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, në përputhje me marrëveshjet e arritura dhe ligjet në fuqi të Kosovës.

Beogradi zyrtar këmbëngul në integrimin e shëndetësisë dhe të arsimit në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit, ashtu siç bën edhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e autoriteteve aktuale në Serbi.

Çfarë parasheh Asociacioni për shëndetësinë dhe arsimin serb?

Asociacioni i komunave me shumicë serbe u dakordua në vitin 2013 me Marrëveshjen e parë të Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa parimet për të u harmonizuan në vitin 2015.

Ky asociacion përmendet edhe në Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, të cilën Kosova dhe Serbia e pranuan në vitin 2023 në Bruksel, e pas së cilës Bashkimi Evropian hartoi edhe një draft-statut.

Kosova, megjithatë, nuk e ka dërguar ende këtë draft-statut në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim, i cili do të duhej të ishte hapi i parë drejt themelimit të Asociacionit.

Draft-statuti nuk u bë kurrë publik, por mediumi kishte qasje në të dhe ai duhet të zgjidhë çështje të shumta të hapura, duke përfshirë funksionimin e institucioneve serbe të shëndetësisë dhe arsimit.

Këto institucione parashihet të bëhen private nën ombrellën e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia të ofrojë “kontribut financiar”.

Në draft-statut specifikohet që ato të kenë “statusin e institucioneve të huaja private” dhe të marrin leje, ose licenca, për të vepruar në përputhje me ligjet aktuale të Kosovës.

Edhe kur bëhet fjalë për kurrikulën, draft-statuti thotë se ajo duhet të rregullohet në përputhje me ligjet aktuale të Kosovës.

Aktualisht, nuk është e qartë se si do të dukej ajo, marrë parasysh se Kosova dhe Serbia kanë pikëpamje krejtësisht të ndryshme kur bëhet fjalë për historinë ose gjeografinë, sepse Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Megjithatë, në draft-statut theksohet se Asociacioni do të ketë kompetenca sa i përket arsimit, që nënkupton bashkëpunimin midis komunave, prezantimin e politikave arsimore para autoriteteve qendrore, ofrimin e këshillave autoriteteve qendrore për kurrikulën serbe, ofrimin e këshillave për ndryshimet në ligjin e arsimit, e kështu me radhë.

Sipas draft-statutit, do të ekzistonte gjithashtu standardi i “dhënies së dyfishtë të diplomave”, kosovare dhe serbe, të cilat do të njiheshin si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia.

Në të njëjtin draft parashikohet që institucionet arsimore dhe shëndetësore të mund të përdorin ambiente të ndërtuara me financim të Serbisë, por një gjë e tillë nuk duhet ta pengojë funksionimin e sistemit ekzistues arsimor dhe shëndetësor të Kosovës.

Ngjashëm, Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të duhej të kishte kompetenca në fushën e shëndetësisë, duke lehtësuar bashkëpunimin midis komunave për përmirësimin e shëndetësisë primare dhe sekondare, përfaqësimin e politikave shëndetësore dhe sociale para autoriteteve qendrore, financimin e projekteve infrastrukturore, pajisjeve dhe materialeve mjekësore, mbledhjen ose financimin e ndihmës sociale etj.

Çfarë thuhet për shëndetësinë dhe arsimin në ligjet e Kosovës?

Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, të cilat u hartuan në bazë të Planit të Martti Ahtisaarit – dokumentit mbi bazën e të cilit Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 – parashikojnë gjithashtu të drejta për komunitetin serb, nga kultura, gjuha, feja dhe tradita, te çështjet e arsimit, shëndetësisë, ekonomike dhe pronësore, e deri te formimi i komunave me shumicë serbe përmes procesit të decentralizimit.

Sot, në Kosovë janë gjithsej dhjetë komuna me shumicë serbe. Gjashtë ndodhen në jug të lumit Ibër – Graçanica, Novobërda, Shtërpca, Ranillugu, Kllokoti dhe Parteshi, ndërsa katër të tjerat janë të lidhura territorialisht në veri – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, komunitetet pakicë kanë të drejtë të arsimohen në njërën nga gjuhët zyrtare në të gjitha nivelet, që do të thotë edhe në serbisht, sepse kjo gjuhë, së bashku me shqipen, është në përdorim zyrtar në të gjithë territorin e Kosovës.

Megjithatë, institucione arsimore në gjuhën serbe brenda sistemit të Kosovës aktualisht nuk ka.

Gjithashtu, Kushtetuta e Kosovës dhe Plani i Ahtisaarit përcaktojnë se komunitetet pakicë kanë të drejtë t’i krijojnë dhe menaxhojnë institucionet e tyre private arsimore, të cilave mund t’u jepet ndihmë financiare në përputhje me ligjin dhe standardet ndërkombëtare.

Neni 20 i Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale të Kosovës u jep komunave të Graçanicës, Shtërpcës dhe Mitrovicës së Veriut kompetenca të zgjeruara në aspektin e kujdesit shëndetësor sekondar, ndërsa me Nenin 21, komuna e Mitrovicës së Veriut ka kompetenca të zgjeruara në arsimin e lartë.

Komunat e Mitrovicës së Veriut, Graçanicës dhe Shtërpcës, me këto kompetenca të zgjeruara, kanë të drejtë të ofrojnë kujdes shëndetësor sekondar, duke përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve shëndetësore, punësimin e punonjësve shëndetësorë, pagesën e pagave dhe trajnimin e punonjësve shëndetësorë dhe të atyre të punësuar në administratë.

Kur bëhet fjalë për arsimin e lartë, komuna e Mitrovicës së Veriut, me kompetencat e saj të zgjeruara, ka të drejtë të ofrojë arsim të lartë, duke përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve arsimore, punësimin e stafit mësimdhënës, pagesën e pagave dhe trajnimin e stafit mësimdhënës dhe administrativ. /REL

 

Shpërndaje në: