Çka po ndodh me Kurtin: Dje s’e tha asnjë fjalë për ditëlindjen e ish-Presidentit Rugova – A i pengoi zyrtarizimi i Ukës në LDK?
Dje u shënua ditëlindja e 81-të e ish Presidentit të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova. Figura të larta kujtuan presidentin historik të vendit në 81 vjetorin e lindjes së tij. Por, një hije e zezë ra sërish mbi liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili nuk e shkroi asnjë fjalë për të.
Kurti para se të bëhej kryeministër i vendit, kishte refuzuar që të shkonte tek varri për ta nderuar ish-presidentin Ibrahim Rugova. Pas veshjes me petkun e kryeministrit, më 17 shkurt 2020, Albin Kurti kishte vendosur që për herë të parë të përkulej tek varri ish-presidentit të Kosovës.

Kjo në atë kohë ishte parë si ndryshim i Kurtit në raport me Rugovën, pasi edhe sot e kësaj dite ekziston arkiva me deklarime brutale të liderit të VV-së kundër Ish Presidentit Rugova.
Nga “kolaboracionist”, “pengues i çlirimit” e të tjera, Kurti krah Vjosa Osmanit në vitin 2020, vlerësoi lart ish-presidentin Rugova.
Çështja e raportit të Kurtit me Rugovën ishte riaktualizuar edhe një vit më parë [2024], pasi kryetari i Qeverisë kishte vizituar rezidencën presidenciale të Rugovës në Velani.
Kurtin në këtë vizitë në rezidencë e kishin pritur edhe dy djemtë e Rugovës, Mendim dhe Ukë Rugova.
Ky i fundit, hiç më larg se dje në ditëlindjen e babait të tij zyrtarizoi kandidimin e tij për deputet me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Abdixhiku zyrtarizon emrin e Ukë Rugovës si kandidat për deputet të LDK-së
A është kjo edhe arsyeja pse Kurti nuk shkroi asnjë fjalë në rastin e 81-vjetorit të lindjes së ish Presidentit Rugova, kjo mbetet një pyetje pa përgjigje – megjithatë lë shumë për t’u diskutuar.



