Çuditë në futbollin e sivjetmë: Liverpooli 25 pikë diferencë, Lazio më e mirë se Juve, Atalanta 70 gola

Çuditë në futbollin e sivjetmë: Liverpooli 25 pikë diferencë, Lazio më e mirë se Juve, Atalanta 70 gola

Lufta kundër koronavirusit ka ndërprerë një prej sezoneve më të jashtëzakonshme në futbollin evropian ku po ndodhnin befasi të jashtëzakonshme në 5 ligat më të forta të botës.

Në Angli, befasia më e madhe e kishte emrin Liverpool. Natyrisht, Liverpooli i vitit të kaluar arriti ta fitonte Ligën e Kampionëve, por nuk pritej një dominim kaq i madh në Premier Ligë.

Skuadra e Jurgen Klopp i kishte 25 pikë para vendit të Manchester Cityt në renditjen tabelare dhe çështja e kampionit tashmë ishte çështje e kryer.

Befasi tjetër në Angli ishte edhe Leicester City që pritej të shkonte në Champions League, duke qenë tetë pikë mbi Manchester Unitedin e vendit të pestë.

Ndërkohë që në kategorinë e dytë, Championship, po e bënte namin Leeds United-i i Marcelo Bielsas, skuadër e cila renditet e para dhe pritej të kthehej në Premier Ligë pas gjashtëmbëdhjetë vitesh.

Në Gjermani, befaisa më e madhe mund të konsiderohet Werder Bremeni, skuadra elitare gjermane e cila ka pak gjasa për të mbijetuar kur kanë mbetur vetëm edhe shtatë xhiro për t’u zhvilluar. Ekipi i Rashicës fitoi ndeshjen e fundit, por i duhen edhe fitore të tjera që të paktën të sigurojë vendin e 16 në të cilën do të luante ndeshje barazhi me ekipin e tretë të Bundesliga II.

Për dallim nga Bundesliga, Seria A e Italisë po prodhonte një prej sezoneve më të nxehta në histori.

Kampioni i tetëfishtë rresht, Juventus, këtë sezon po përballej me një kundërshtar shumë më të vështirë në luftën për titull: Lazion. Lazio e kishte vetëm një pikë më pak, por dhjetë gola më shumë të shënuar, e një gol më pak të pranuar. Pra, Lazio ishte në superformë dhe kishte mbrojtje më të mirë e sulm shumë më të mirë se Juventusi.

E megjithatë, befasia nuk përfundon këtu në Itali. Atalanta po prodhonte futbollin larg më të bukur nga të gjitha ekipet e tjera derisa po luftonte për një vend që çonte në Champion League. Ky ekip për 25 ndeshje të zhvilluar i shënoi plot 70 gola, ose 20 më shumë se Juventusi e 42 gola më shumë se Milani.

Taktikat e këtij ekipi pa lojtarë të famshëm mbeten ende misterioze për analistët e futbollit por pritet të kenë ndikim madhor në sportin popullor në vitet në vijim.

Në Spanjë, befasinë po e bënin Real Sociedadi i Adnan Januzajt dhe Getafe-ja, ekipe që po renditen më mirë se sa Atletico Madridi i Diego Pablo Simeones.

Të dyja këto ekipe po luftonin për një vend në Ligën e Kampionëve, ashtu siç po luftonin edhe Sevilla, Atletico dhe pjesërisht Valencia.

Gara për titull, sidoqoftë, mbetet e ‘monopolizuar’ nga Barcelona dhe Real Madridi. /Periskopi

Shpërndaje në: