Dashnia politike zgjati sa votat për President: Kurti ia bën ‘block’ Osmanit për mandatin e dytë
Në një moment kritik të krijimit të institucioneve të reja dhe zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka hedhur një mesazh të qartë politik sot: Nuk ka vota për Presidente Vjosa Osmanin, shkruan Periskopi.
Dikur simbol i një fryme të re politike dhe bashkëpunimi kundër “establishmentit të vjetër”, sot raporti mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani duket i ftohtë, ashtu siç u raportua kohë më parë. Deklaratat e Kurtit pas takimit me kreun e Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, lanë të nënkuptojnë një “block” të qartë ndaj mundësisë që Osmani të mbështetet për një mandat të ri presidencial.
Në vitet 2020–2021, Kurti dhe Osmani ndërtuan një aleancë të fuqishme politike. Osmani, e larguar nga LDK-ja, u rreshtua krah Vetëvendosjes në zgjedhjet parlamentare, duke marrë një rol kyç në fitoren plebishitare të asaj kohe. Më pas, me votat e shumicës parlamentare të udhëhequr nga Kurti, ajo u zgjodh Presidente.
Sot, kjo retorikë ka ndryshuar ndjeshëm. Kurti deklaroi se me rreth 66 vota në Kuvend, shumica aktuale është “shumë larg” 80 votave të nevojshme për zgjedhjen e Presidentit në dy raundet e para. Ai theksoi se nuk ka mbledhje nënshkrimesh dhe as kandidat “me librezë partie”, duke nënkuptuar se nuk do të rrezikojë një emër pa konsensus të gjerë.
Kurti, pas takimit me Abdixhikun, theksoi se Vetëvendosje mund të sigurojnë vetëm rreth 66 vota në Kuvend, një shifër shumë larg shumicës prej 80 votash të nevojshme për zgjedhjen e Presidentit në dy raundet e para. Për këtë arsye, ai nënvizoi se partia e tij nuk ka mbledhur nënshkrime për asnjë kandidaturë, dhe se dalja me një emër pa mbështetje të mjaftueshme do të ishte politikisht “e dëmshme”.
Në fjalën e tij, Kurti ripërsëriti se LVV nuk ka një emër me librezë partie që synon postin e Presidentit, dhe se as LDK-ja e as Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk kanë propozuar ndonjë kandidat nga radhët e tyre. Sipas tij, zgjedhja e Presidentit kërkon një zgjidhje përmes një konsensusi të gjerë politik, duke përfshirë partitë kryesore parlamentare.
Afatet kushtetuese po afrohen dhe pa 80 vota në dy raundet e para, procesi mund të shkojë në raund të tretë ose të hapë skenarë të paparashikueshëm politikë. Nëse nuk arrihet marrëveshje, vendi mund të hyjë në një tjetër cikël tensioni institucional./Periskopi/
Zgjedhja e presidentit, Kurti në hall me numrat: Po përpiqemi të mos shkojmë në zgjedhje të reja



