Deçani nderon babanë që ecte çdo ditë 20 kilometra me të birin me sindromën Down
Komuna e Deçanit ka organizuar të mërkurën një ecje simbolike nën moton “Hapave të Sadriut dhe Azemit”, në nderim të një prej rrëfimeve më prekëse të dashurisë prindërore dhe fuqisë së familjes.
Ecja nisi nga rrethrrotullimi te “Liridoni” në Carrabreg në orën 11:00 dhe përfundoi në qendër të Deçanit.
Ngjarja i kushtohet Sadri Shalës, babait që për vite me radhë ka ecur çdo ditë me të birin Azemin, i cili ka Sindromën Down. Gjestet e përditshme të Sadriut janë kthyer në simbol të dashurisë së pakusht dhe përkushtimit prindëror, duke prekur zemrat e shumë qytetarëve në gjithë Kosovën.
Sadri Shala vdiq më 13 korrik.
“Hapat e tij ishin forcë për dikë, sot janë frymëzim për të gjithë”, thuhet në njoftimin e komunës.
E një qytetar kishte rrëfyer bisedën me babanë e Azemit, pas vdekjes së tij, duke i kërkuar komunës që të organizonte ecje në nderim të tij.
“ ‘15 kilometra i bom sot bac, përdit i bëjm qekaq, kanihere djali po ka qejf me ecë ma shumë e i bëjm 20’ më tha para tre ditësh baci Sadri”, rrëfeu qytetari.


Fotot janë të Koha.net



