Deputetët e VV-së vizitojnë blegtorët e prekur nga problemi i sëmundjes gungore

Deputetët e VV-së vizitojnë blegtorët e prekur nga problemi i sëmundjes gungore

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një kumtese për media, ka njoftuar se deputetët e saj, Driton Çaushi e Donika Kadaj-Bujupi, kryetari i Qendrës së këtij subjekti në Istogt, Agron Avdijaj, dhe veterinari Fazli Shabani, vizituan disa fermerë blegtorialë të komunës së Istogut.

“Këta fermerë janë ballafaquar dhe po ballafaqohen me sëmundjen virale të gjedheve të tyre, sëmundjen gungore të lëkurës e cila është shfaqur në Kosovë për herë të parë këtë vit. Qeveria e Kosovës dhe Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kanë treguar paaftësi të plotë në menagjim të kësaj situate. Përveç vonesave me vaksinat, problem të madh ka pasur edhe me asgjësimin e gjedheve të ngordhura nga sëmundja (siç shihet edhe në disa prej fotografive), gjë që ka ndikuar në përhapjen e sëmundjes.

Sipas VV-së, gjatë këtyre takimeve, fermerët kanë shprehur ankesat e tyre për mungesën e përkrahjes nga Qeveria dhe mënyrën se si është trajtuar kjo sëmundje në vendin tonë, si dhe për tregtinë ilegale të gjedheve në fshatrat kufitare me Serbinë.

Në kumtesën e Vetëvendosjes thuhet se fermerët po ashtu shprehën brengën e tyre për vonesat në vaksinimin e gjedheve për parandalim të sëmundjes, që filloi vetëm gjatë këtyre ditëve, gjersa siç thonë ata, për banorët serbë të kësaj komune janë siguruar me kohë vaksinat nga Serbia.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron se blegtoria është veprimtari ekonomike jashtëzakonisht e rëndësishme për zhvillimin e vendit, prandaj e shohim si të domosdoshme përkrahjen maksimale për fermerët blegtorialë, e veçanërisht në raste të këtilla. Pa zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, është e pamundur të kemi zhvillim ekonomik e mirëqenie sociale”.

 

Shpërndaje në: