Më derbi Bournemouth-Liverpool sesa Barcelona-Real Madrid
Të gjithë i patëm sytë kah El Clasico, ai që njihet si derbi më i madh i futbollit në botë. Një ndeshje e shumëpritur jo vetëm për tifozët e të dy gjigandëve të futbollit spanjoll. Takimi i zhvilluar në Camp Nou para rreth 100 mijë shikuesve dhe ndoshta miliardave që i shikonin përmes ekranit, u karakterizua kryesisht vetëm me ndërhyrje të ashpëra. Të dyja palët tentonin me penalti të paqena të vinin deri te zhbllokimi, një praktikë e njohur kjo për këto dy skuadra. Aksione të jashtëzakonshme si në përballjet tjera mes këtyre dy skuadrave nuk pati në këtë sfidë. Pamë rastin e Neymar, të cilin braziliani e humbi nga një pozitë tejet e favorshme për të shënuar. Por, në përgjithësi ky derbi ishte më i varfër për nga bukuria e lojës dhe rastet. Ndeshje, e cila po të mos dramatizohej në çastet e fundit pas golit të Sergio Ramos, nuk do të kishte pse ta përmendje si derbi. Gjatë gjithë kësaj ndeshje katalunasit tentuan të shënonin shtatë herë, ndërsa ‘Los Blancos’ nëntë herë.

Ndërhyrje të parregullta vendësit i shkaktuan 19, ndërsa mysafirët 16 sosh. U dhanë katër kartonë të verdhë për futbollistët vendës dhe dy për mysafirët e ardhur nga Madridi. Në disa raste, në pamundësi për të organizuar sulme njëra ose tjetra skuadër, lojtarët qëronin hesapet me ndërhyrje të ashpëra në lojën e cila zhvillohej kryesisht në repartin e mesfushës. Ronaldo e Messi sikur të mos luanin në këtë takim. Dy futbollistët më të mirë që ka njohur historia e futbollit nuk ishin në formën e duhur në këtë sfidë. Përveç golit, as Luis Suarez nuk ishte në nivelin e tij, as Neymar poashtu. Pra dy superyjet që i kushtuan Barcelonës jozyrtarisht rreth 200 milionë euro, nuk treguan lojë të pritshme. Por, lojë të mirë nuk treguan në anën tjetër, as Ronaldo dhe as Benzema. Kjo dyshe madrilene që pagat i ka sa krejt ekipi i Bornemouth, bëri tepër pak për klubin e tyre dhe për ndeshjen.
Ndërsa, tani dalim te ndeshja tejet dramatike në Premier Ligën angleze.
Nuk po e përmend sfidën Manchester City-Chelsea, e cila përgjatë 90 minutave u luajt sikur të ishte minuta e fundit e takimit që do të sjellte titullin kampion në rast fitoreje.

Por po përmendi ndeshjen Bournemouth-Liverpool, ku skuadra e trajnerit Eddie Howe i tregoi Jurgen Klopp’t se fitorja nuk sigurohet edhe kur je në avantazh 2:0 e as 3:1 deri pak më shumë se dhjetë minuta lojë para përfundimit të lojës. Tre gola për 15 minuta, kundër një super-Liverpooli të këtij sezoni, i shënon një skuadër si Bournemouth, që nuk dorëzohet as kur është duke humbur 2:0 e as 3:1. Kjo është natyra e futbollit anglez. Mosdorëzimi. Gjë e cila në masë të madhe u mungon ligave tjera të futbollit europian.
Dhe jo, kjo nuk është që ndodh rrallë në angli, befasi të tilla, në mos jo çdo javë, ndodhin mesatarisht në çdo dy-tre javë në elitën e futbollit anglez.
Pra, në përfundim po e përsëris, që ndeshje më interesante ishte ajo ndërmjet Bournemouth dhe Liverpool sesa ajo Barcelona-Real Madrid, të cilën shumë nga ne mbetëm të zhgënjyer për mungesën e spektaklit dhe lojës fer.



