Derbi i gjigantëve, Napoli i Rrahmanit mund Juven e Zhegrovës
Napoli edhe njëherë tjetër tregoi pse është kampion aktual.
Në mungesë të gjashtë lojtarëve, trajneri Antonio Conte, sërish futi në lojë formaconin fitues, pasi skuadra e tij mposhti Juventusin në kryendeshjen e xhiros së 14-të, me rezultat 2-1 në derbin nr.165.
Napoli dominoi totalisht në pjesën e parë duke krijuar shumë raste, dy të 100% me mesfushorin Scott McTominay dhe Noa Lang, por goli erdhi herët, kur i pandalshmi Davis Neres asistoi për Rasmus Hojlund i cili realizoi për rezultatin e pjesës së parë, me Juventusin që nuk e pati asnjë gjuajtje në drejtim të portës së Napolit.
Pjesa e dytë edhe më e zjarrtë, sepse Juve nisi të luante më agresiv dhe më mirë, andaj barazoi rezultatin me anë të lojtarit kryesor Kenan Yildiz.
Dhe, kur ndoshta pritej që Juventusi të bënte më shumë, Napoli realizoi me sulmuesin Rasmus Hojlund, që u asistua gabimisht nga McKennie.
Edon Zhegrova hyri në lojë në minutën e 82, por nuk i ndihmoi Juventusit t’i shmanget humbjes së tretë sezonale, me atë që Napoli kaloi sërish në pozitën e parë me 31 pikë pas fitores së 10.
Pas një jave Napoli udhëton te Udinese kurse Juventusi i shkon Bolognas./Periskopi/



