Dështimi i dyfishtë i Interit, 65 milionë euro më pak nga sezoni i kaluar në Champions
Sezonin e shkuar, duke llogaritur shpërblimet e UEFA-s, në arkat e klubit zikaltër hynë më shumë se 136 milionë euro, kurse këtë vit ndalet te pak më shumë se 71 milionë euro.
Arritja në 1/8-at e Champions League ishte një mision shumë i rëndësishëm për konfirmimin në Europë, pas dy finalesh në 3 vitet e fundit. Po ashtu, ishte e rëndësishme që Interi të ruante qetësinë që ka gjetur në kampionat e mbi të gjitha të arkëtonte rreth 15 milionë euro të sigurta. Me shumë mundësi edhe shumë të tjera më pas.
Sezonin e kaluar në Europë, që u mbyll me finalen zhgënjyese, Interi arkëtoi 136.6 milionë euro vetëm nga shpërblimet e UEFA-s. Një “thesar” i vërtetë për të sistemuar bilancin e shoqërisë dhe për të investuar në merkato.
Këtë sezon Interi është shumë larg asaj shifre të konsiderueshme, sepse e ka mbyllur me 71.27 milionë euro. Diferenca është 65.33 milionë euro më pak. Ndoshta skuadra e Chivu nuk do të shkonte sërish në finale, por eliminimi nga Bodo Glimt është i parakohshëm për Barelën me shokë, që janë ndalur këtu.
Një dështim i dyfishtë që rëndon jo vetëm për skuadrën (finalistja e parë e Championsit që nuk shkon në 1/8-at sezonin pasardhës, që nga koha e Chelsea 2012/13), por edhe për arkat e klubit. Interit i limitohen të ardhurat dhe tani mbetet vetëm kampionati dhe Kupa e Italisë.



