Dje i fajësoi familjarët që të burgosurit i kanë prezantuar si ushtarë për pensione, Rron Gjinovci sot kërkon falje
Anëtari i shoqërisë civile, Rron Gjinovci, bashkëpunëtor dhe mik i Shkëlzen Gashit, autorit të ekspozitës me pasaktësi për masakrat e kryera gjatë luftës në Kosovë, ka kërkuar falje.
Një ditë pasi dje akuzoi familjarë të viktimave civile se i kishin paraqitur ata si ushtarë për shkak të “marrjes së një pensioni më të madh”, sot ka shprehur keqardhje.
“Fillimisht, u kërkojmë falje të sinqertë të gjithë familjarëve të viktimave civile të luftës, të gjithë atyre që janë prekur drejtpërdrejt apo tërthorazi nga lufta në Kosovë, bashkëpunëtorëve tanë dhe opinionit të gjerë publik për situatën e krijuar”, shkroi ai në një postim në Facebook.
“Qëllimi i ekspozitës sonë ka qenë i qartë dhe i pandryshueshëm: të nderojë viktimat civile të luftës dhe të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera në Kosovë. Në asnjë moment dhe në asnjë formë nuk kemi pasur synim të lëndojmë apo të ofendojmë askënd”, shtoi Gjinovci.
Ai shkroi dje, në një postim me titull “e vërteta për ekspozitën e masakrave” se disa të vrarë janë “deklarurar si ushtarë” nga familjarë të tyre, “me qëllim të ngritjes së vlerës dë tyre dhe/apo marrjes së nji pensioni ma të madh që e ndan shteti për familjarët e të vramve si ushtarë në krahasim me të vramët si civilë”.
Autorët thanë dje se për të dhënat e masakrave janë mbështetur në listën e të vrarëve nga “Libër Kujtimi i Kosovës” i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (HLC) organizatë e udhëhequr nga Natasha Kandiq, aktivisttja serbe për të drejtat e njeriut.
Por Fondi për të Drejtën Humanitare tha në një reagim se të dhënat e paraqitura të ekspozitë në disa raste japin pasqyrë të pasaktë të krimeve dhe kjo nuk ka të bëjë me çështje interpretimi, por “me mungesë elementare të njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare, faktet e vërtetuara në gjykatë dhe mënyrën e leximit të të dhënave”.



