“Do të vazhdojmë me ngritjen e padive individuale” -Reagon Shoqata e Prodhuesve pasi Gjykata ua refuzoi propozimin për pezullimin e vendimit të ZRrE
Shoqata e Prodhuesve të Kosovës ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore, ku ka refuzuar propozimin e tyre për pezullimin e vendimit të ZRRE për daljen në treg të lirë për bizneset, shkruan Periskopi.
Në një përgjigje për Periskopin, kryetari i Shoqatës së Prodhuesve, Kushtrim Ajvazi tha se do të vazhdojnë me ngritjen e padive individuale.
“Kjo ka qenë padia e pare grupore e ushtruar nga Shoqata në emër të gjithë prodhuesve vendor. Ashtu siç ka deklaruar edhe Kryetari Rafuna, për arsye të legjislacionit, Oda Ekonomike e Kosovës nuk ka ushtruar padi në emër të 1300 bizneseve, por me hapjen e zyrës së re ligjore në kuadër të OEK, është duke i ndihmuar bizneset në përpilimin e padive, një nga një, në mënyrë individuale.
Gjykata Komerciale ndërkohë ka pranuar dhe është duke trajtuar paditë individuale të paraqitura nga bizneset që janë pjesë e Shoqatës së Prodhuesve dhe biznese të tjera të prekura nga vendimi i ZRrE-së prandaj si rrjedhojë, Shoqata dhe bizneset e prekura do të vazhdojnë me ngritjen e padive individuale, të cilat po pranohen dhe trajtohen nga Gjykata”, tha Ajvazi.
Tutje Ajvazi i bëri thirrje edhe ZRrE-së të anulojë vendimin për daljen e dhunshme në tregun e lirë të energjisë, në mënyrë që të mos dëmtohet konkurrenca dhe ekonomia e vendit./PERISKOPI



