Dogana e Kosovës zbulon 8 mijë funta të fshehura në çorapet e një udhëtari që kishte arritur në Aeroportin e Prishtinës
Dogana e Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në arritje, zyrtarët doganorë kanë kryer kontrollin e një udhëtari dhe bagazhit të tij.
Gjatë skanimit fillestar dhe kontrollit fizik të udhëtarit, në trupin e tij, të fshehura në çorape, është gjetur një shumë e konsiderueshme parash të padeklaruara prej 8,000 funta britanike, përveç një shume tjetër që udhëtari mbante me vete. Në total, shuma e gjetur ishte 9,300 funta britanike, e cila sipas kursit zyrtar të këmbimit përkthehet në 10,611.59 euro.
Dogana ka njoftuar se në përputhje me legjislacionin në fuqi, udhëtarit i është shqiptuar masa administrative prej 25% të shumës së padeklaruar, ndërsa pjesa tjetër e mjeteve monetare është ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave ligjore. Rasti është referuar gjithashtu sektorit të Hetimeve për procedim të mëtejshëm.



