Dogana e Kosovës gjen rreth 1 milion euro të padeklaruara në një veturë në Merdar

Dogana e Kosovës gjen rreth 1 milion euro të padeklaruara në një veturë në Merdar

Dogana e Kosovës ka njoftuar se janë kapur rreth 1 milion euro të padeklaruara në pikëkalimin kufitar Merdare.

Sipas njoftimit të Doganës është bërë e ditur se në një automjet ishte zgjedhur për për kontroll të detajuar derisa po hynte në territorin e vendit.

“Automjeti fillimisht është kontrolluar përmes pajisjes së skanimit me rreze X (X-Ray), ku janë identifikuar indikacionet e para për ekzistimin e një hapësire të dyshimtë të modifikuar në dyshemenë e tij. Pas këtyre indikacioneve, Dogana e Kosovës ka kërkuar asistencë nga zyrtarët e Policisë Kufitare, të cilët kanë ofruar mbështetje teknike përmes pajisjes fibroskopike. Gjatë kontrollit të përbashkët, dyshimet e ngritura nga skaneri janë konfirmuar me zbulimin e mjeteve monetare të padeklaruara, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit. Sipas vlerësimeve fillestare, shuma e mjeteve monetare dyshohet të jetë rreth 1,000,000 (një milion) euro”, thuhet  në njoftim.

Tutje thuhet se njësitë hetimore të Doganës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Prokurori kompetent është njoftuar dhe, në koordinim me të, po ndërmerren veprime të mëtejme hetimore në përputhje me autorizimet ligjore.

“Dogana e Kosovës tha se përdorimi i teknologjisë së avancuar të kontrollit, si skanerët X-Ray, mbetet një nga mjetet kyçe për zbulimin e rasteve të kontrabandës dhe parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme financiare”, thuhet në njoftim./Periskopi

Njoftimi i plotë:

Shpërndaje në: