Dogana kryen kontroll në pesë lokacione në Prishtinë, kap mallra të kontrabanduara në vlerë prej 800 mijë euro
Sot në rajonin e Prishtinës, Dogana e Kosovës ka zhvilluar operacion kontrolli në pesë lokacione, përkatësisht depo të bizneseve të ndryshme.
Gjatë kontrolleve është gjetur një sasi e konsiderueshme e mbathjeve sportive me marka të ndryshme të mbrojtura, dhe një sasi të veshjeve nga tekstili.
Malli dyshohet se nuk posedon dokumentacion përkatës për origjinën dhe zhdoganimin e rregullt në Kosovë, dhe kap vlerën e rreth 800 mijë euro.
“Pas evidentimit të rastit është njoftuar Prokurori Kujdestar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i cili ka autorizuar ndërmarrjen e veprimeve të mëtejme procedurale. Me autorizimin e tij, personat e dyshuar lidhur me pronësinë e mallit janë duke u intervistuar, ndërsa malli i gjetur është duke u inventarizuar dhe konfiskuar, për t’u transportuar më pas në depot e Doganës së Kosovës. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e tregut të ligjshëm në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim të Doganës.



