‘Dok, çka ke ba’ kështu Dok’ – Ekrem Hyseni pa terapi për LDK-në, por me recetë për ta ndalur Agim Veliun

‘Dok, çka ke ba’ kështu Dok’ – Ekrem Hyseni pa terapi për LDK-në, por me recetë për ta ndalur Agim Veliun

Lidhja Demokratike e Kosovës [LDK] me në krye Lumir Abdixhikun, ka dështuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Nga rezultatet preliminare, kjo parti ka marrë vetëm 13,57%, apo rreth 119 mijë vota. Krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit, LDK ka rreth 52 mijë vota më pak, apo minus pesë ulëse në Kuvendin e Kosovës. Ky rezultat, është produkt i drejtimit politik i cili ka dështuar ta ringrisë partinë, por jo vetëm…

E gjithë kjo, po ndodh nën drejtimin e Lumir Abdixhikut – një kryetar që erdhi me premtime për reformë dhe rikthim të besimit. Pas disa vitesh në krye të LDK-së, rezultati është i qartë: partia nuk u ngrit, elektorati nuk u zgjerua dhe humbjet nuk u ndalën.

Abdixhiku me vendimet e tij – duke filluar nga përzgjedhja e listës së kandidatëve për të garuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit, u pa që kishte myllur dyert për disa figura me peshë elektorale.

Lënia jashtë e Agim Veliut dhe favorizimi i Ekrem Hysenit, i njohur si “Doku i Podujevës”, janë simptomat që kanë përcjellur dështimin e Lumir Abdixhikut që nga marrja e kryetarit të partisë.

Një fakt i padiskutueshëm është se, Agim Veliu është një nga figurat më të votuara të kësaj partie ndër vite. Njeriu i cili ka sjellë vota, ka pasur ndikim të pamohueshëm në terren dhe ka mbajtur përgjegjesi institucionale – u la jashtë listës nga kalkulimet e gabuara të lidershipit.  Pavarësisht polemikave që e kanë shoqëruar karrierën e tij, Veliu mbetet një emër me peshë në elektoratin tradicional të LDK-së, veçanërisht në rajonin e Podujevës dhe më gjerë.

Çka fitoi LDK’ja e Abdixhikut me Ekrem Hysenin?

Kur kanë mbetur edhe pak kuti për t’u numëruar dhe të kuptohet se kush do të jenë përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Kosovës, Ekrem Hyseni nuk arriti të fitojë besimin e qytetarëve për t’u bërë deputet.

Me 95 % të votave të numëruara, Ekrem Hyseni është i 23-ti në listën e LDK-së me vota – larg numrit të ulseve që ka siguruar kjo parti në këto zgjedhje.

“Doku i Podujevës” nuk shëroi plagët e partisë pas humbjeve të njëpasnjëshme, por u bë pjesë e mekanizmit që mbylli rrugën për një figurë me peshë elektorale, siç është Agim Veliu.

Pra, në vend që të ndërtojë një listë konkurruese, LDK po mbyll dyert për figurat që sjellin vota dhe po i hap për ata që nuk i morën.

Kjo qasje po e largon elektoratin tradicional të saj. Po e shndërron LDK-në në një parti që ‘frikësohet’ nga vota e vet.

“Reforma e Abdixhikut” nuk ndodhi, sepse LDK po vazhdon që kundërshtarin më të madh politik ta ketë vetveten. //Enis Rrustemi//Periskopi//

Shpërndaje në: