Doktor Pal Lekaj – doktori i skandaleve në Qeverinë Haradinaj

Doktor Pal Lekaj – doktori i skandaleve në Qeverinë Haradinaj

Arrestimi i 16 zyrtarëve për dallavere me patentë shoferë është skandali i fundit i Ministrisë së Pal Lekajt të AAK’së. Ndonëse ka më pak se dy vite qeverisje, Lekaj dhe Ministria e tij shquhen për skandale të shumta. Gjatë kësaj periudhe qeverisëse 53 milionë iu ndanë si ‘dhuratë’ Kompanisë ‘Bechtel Enka’ për vonesën e pagesave […]

Shkruan: Artina Muçiqi

Ndonëse kishte premtuar një qeverisje ndryshe, me të marrë mandatin si kryeministër në shtator të vitit 2017, Ramush Haradinaj vazhdoi avazin e vjetër të emërimeve e qeverisjes.

Ai emëroi ministra dy njerëz të partisë së tij me aktakuza në fuqi. Pal Lekaj u emërua ministër i Infrastrukturës, ndërsa Rrustem Berisha ministër i Mbrojtjes. Por, këta dy nuk ishin të vetmit. Kjo pasi në Qeverinë Haradinaj ishin edhe katër ministra të partive tjera me aktakuza.

Kështu, ndodhi pikërisht ajo që po i frikësoheshin të gjithë.

Ministrat e akuzuar vazhduan avazin e vjetër të keqpërdorimeve, vetëm se kësaj here nga pozita akoma më të larta.

Një ndër ta është ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Më 12 prill të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Lekajt për përvetësimit në detyrë dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, sa ishte kryetar i Komunës së Gjakovës.

Avazin e keqqeverisjes dhe keqpërdorimeve, Lekaj e vazhdoi edhe në Qeveri.

Ministria e tij gjatë kësaj periudhe afro dy vjeçare shquhet për skandale të shumta.

16 zyrtarë të Ministrisë së Lekajt arrestohen për dallavere me patentë shofer

Para disa ditëve, Policia e Kosovës ka arrestuar 23 zyrtarë, të dyshuar për dallavere me patentë shofer.

Të njëjtit zyrtarë u arrestuan në ambientet ku po mbaheshin provimet për patentë shoferë, më saktësisht në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.

16 nga të arrestuarit në këtë aksion ishin zyrtarë të Ministrisë së Pal Lekajt, nga Departamenti për Patentë – shofer. Ndërkohë, të tjerët ishin një menaxher, tre mjekë, një psikolog i një ordinance dhe një bashkëpronar i një auto-shkolle.

Mbi të njëjtit rëndojnë akuzat për përfshirje në veprat penale si “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrja e ryshfetit”.

Pavarësisht keqpërdorimeve dhe dëshmitë me të cilat u zunë të arrestuarit, përfshirë videove, atyre u është caktuar masa e arrestit shtëpiak për një muaj, deri në një vendim tjetër të Gjykatës.

Zyrtarë të Ministrisë së Lekajt, dyshohet se ua kanë mundësuar personave të interesuar që të pajisen me patentë shofer të kategorive të ndryshme pa kaluar nëpër testet e nevojshme, në kundërvlerë të parave varësisht prej kategorisë së patentë shoferit (400 – 1000 €), njoftonte Policia.

Një ditë pas arrestimit, u publikuan edhe emrat e plotë të dyshuarve të përfshirë në këtë skandal. Me publikimin e emrave të tyre u vu në pah edhe nepotizmi në këtë Ministri. Kjo pasi njëri nga të arrestuarve në MI ishte daja i kryeministrit Ramush Haradinaj, e tjetri ishte nipi i shefit të Kabinetit të Lekajt, Argjend Zejnajt, për çka raportoi Periskopi.

Si tentoi Ministria e Lekajt të vazhdoi monopolizimin e homologimit edhe për 10 vjet  

Dallaveret me patentë shoferë, nuk janë skandali i vetëm i Ministrisë së Pal Lekajt.

Së fundmi kjo Ministri u kritikua nga të gjithë, përfshirë përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë lidhur me monopolin e krijuar në fushën e homologimit të automjeteve.

Ministria e Pal Lekajt, ia kishte garantuar monopolin në homologim të veturave kompanisë EuroLab për 10 vjet. Madje, ishte caktuar edhe shuma që qytetarët do të obligohen që ta paguajnë për homologim.

Kjo praktikë rrezikonte që të vazhdonte edhe në të ardhmen pasi Ministria e Infrastrukturës e kishte hartuar një Udhëzim Administrativ përmes të cilit e vështirësonte hapjen e tregut për këtë Homologim.

Përveç kësaj, Ministria e Infrastrukturës kishte autorizuar pa procedurat konkurruese të njëjtën kompani, EuroLab për të kryer edhe “A-testimin” e veturave, që tash do të quhet homologim individual. Deri më tani “A-testimi” ishte bërë nga Fakulteti Teknik i Universitetit të Prishtinës.

E Lekaj, për këtë monopol largonte përgjegjësinë nga vetja, duke thënë se Ligji për Automjete ia mundësonte “EuroLabit” që t’i posedojë licencat për homologim për periudhë të pacaktuar.

Por, fatmirësisht pas presionit të madh publik, më 1 korrik 2019, deputetët mbajtën një seancë të jashtëzakonshme ku votuan një rezolutë për heqjen e monopolit në homologimin e veturave. Rezoluta që u hartua nga të gjitha partitë politike kërkonte që brenda gjashtë muajsh të bëhet liberalizimi i tregut.

Si u paguan 32 ish-zyrtarë të strukturave paralele, pa punuar asnjë ditë

Ndër muaj, skandalet e Ministrisë së Lekajt nuk patën të ndalur.

Më 30 qershor, KTV raportoi se Ministria të cilën e udhëheq Pal Lekaj, kishte paguar ish-pjesëtarë të strukturave paralele në veri, pa pasur asnjë dëshmi se ata ishin paraqitur ndonjëherë në vendin e tyre të punës.

Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditorit, në vitin 2018, Ministria e Pal Lekajt, pas një procesi të rekrutimit me akt-emërime, kishte integruar 32 nëpunës të komunitetit serb, ish-pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”. Këta punonjës ishin planifikuar të sistemoheshin nëpër komunat në pjesën veriore të Kosovës, në pozita të caktuara brenda departamenteve përkatëse në Ministri.

Për zyrtarët e lartcekur, Ministria nuk posedonte dëshmi që konfirmojnë paraqitjen e tyre në vendin e punës, siç i obligon Rregullorja nr. 05/2010 e orarit të punës, përderisa Ministria kishte bërë pagesën e rregullt të pagave të tyre. Vlera financiare për shpenzimet e pagave për vitin 2018, për 32 zyrtarë, ishte 153,554€.

Autostrada e ‘Zonës së Komandantëve’ që do t’ia marr buxhetit mbi 1 miliard euro

Përgjatë kësaj periudhe qeverisëse, Qeveria e Haradinajt u shqua si ‘Qeveri e Asfaltit’.

Kjo për shkak të investimeve që u bënë e planifikoheshin të bëheshin për ta.

Në prill të këtij viti, Lekaj paralajmëroi edhe Autostradën e Dukagjinit, e cila buxhetit të shtetit pritet t’i kushtojë plot 1 miliard euro.

Kjo Autostradë, është paraparë të jetë 91 km e gjatë, ndërsa 560 milionë euro do të kushtojë pa shpronësim. Procedurat për të pritet të fillojnë nga mesi i tetorit, ndërkohë që Ministri Lekaj nuk ka përjashtuar mundësinë që edhe atë projekt ta fitojë Kompania Bechtel Enka.

Varianti i propozuar nga Lekaj u kundërshtua nga LDK’ja, e sidomos nga shefi i Grupit të Deputetëve të kësaj partie, Avdullah Hoti.

Sipas tyre, ky variant i Autostradës e dëmtonte Lumin ‘Drini i Bardhë’ dhe nuk i lë qasje qytetit dhe fshatrave të Rahovecit në të.

Kjo autostradë u kritikua edhe për vlerën shumë të lartë për kryerjen e punimeve dhe dyshimet se ndërtimi i saj me të vërtet kushton aq.

Një ndër skandalet më të mëdha të të gjitha kohëve në MI – Falja e 53 milionëve Bechtel Enka’s

Kompania ‘Bechtel Enka’ është e njohur për të gjithë ne. Andaj, nuk do të ishte aspak çudi që e njëjta të fitonte edhe një projekt gjigant infrastrukturor.

Gjatë muajve të parë të qeverisjes së tij, ministri Lekaj ia fali 53 milionë euro të njëjtës kompani për vonesat në pagesa gjatë punimeve të Autostradës ‘Arbën Xhaferi’.

E Lekaj edhe për këto pagesa kishte fajësuar qeverinë e kaluar që udhëhiqej nga LDK’ja e ministri Lutfi Zharku, për të cilët thoshte se kishin dështuar që t’i paguanin me rregullat faturat e parapara në kontratë.

Lekaj krenohej që kësaj Kompanie do t’i paguheshin vetëm 53 milionë nga 63 sa kishin kërkuar nga Kompania.

E për këto para, kryeministri Haradinaj thoshte se po i ndanin që të mos përballeshin me procese gjyqësore që do ta dëmtonin vendin.

Për këtë, Prokuroria së bashku me Policinë Hetuese kanë filluar hetimet për të parë nëse bëhej fjalë për vepër penale.

Ndër vite ka pasur ankesa të shumta edhe për punimet që ka kryer Bechtel Enka në këtë Autostradë. Shpeshherë u kritikua cilësia e këtyre punimeve, meqë pati edhe incidente. Për një muaj, dy punëtorë të kësaj kompanie humbën jetë.

Doktori Pali rehatoi edhe familjarët në punë të shtetit

Skandalet në Ministrinë e tij s’i duket nuk kanë mjaftuar për Pal Lekaj.

Ai ushtroi ndikimin e tij edhe për punësimin e familjarëve të tij në institucione shtetërore.

Kështu, në mars të këtij viti u raportua se Lekaj ka punësuar renë e tij, të fejuarën e djalit të tij Asdrenit, në Telekom.

Doruntina Gashi – Lekaj filloi punën në Telekom vetëm pas dy muajsh trajnime.

E, Lekaj nuk ishte i vetmi që punësoi familjarë në Telekom.

Në këtë ndërmarrje publike u punësuan qindra njerëz që nga ardhja në Qeveri e Ramush Haradinajt. Shumë prej tyre ishin familjarë apo zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Si u bë Doktor Pali milioner?

Doktor Pali është milioner.

Bazuar në pasurinë që ai ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion, vetëm një tokë në pronësi të tij kap vlerën e 1.5 milion eurove. Përveç tokës, Lekaj ka në pronësi edhe një shtëpi që kushton rreth 350 mijë euro dhe dy vetura që bashkë kanë vlerë mbi 30 mijë euro.

Lekaj po del të jetë edhe goxha merakli i veturave. Njëra është e llojit Mercedes (2009), që kushton 13 mijë e 500 euro, derisa tjetra është e llojit BMË 525 F10 (2012), që ka vlerë 18 mijë euro. Të gjitha këto Lekaj ka deklaruar se i ka trashëguar nga familja.

Para të gatshme ai vetë nuk ka, ndërkohë bashkëshortja e tij ka 3 mijë e 600 euro para të gatshme dhe fëmijët e tij rreth 10 mijë euro. Por, Lekaj ka detyrime financiare në vlerë mijëra euro. 75 mijë euro është shuma e borxhit që ai ka ndaj bankave.

Ndërkohë, të hyrat vjetore të tij janë vetëm nga paga që merr si Ministër i Infrastrukturës, përkatësisht 22 mijë euro

Ndryshe, Pal Lekaj, për dy mandate ka qenë kryetar i Komunës së Gjakovës, nga viti 2007 e deri në vitin 2013, kur kishte humbur garën nga Mimoza Kusari – Lila.

Pas kësaj, Lekaj ishte zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kishte ushtruar edhe postin e shefit të Grupit Parlamentar të kësaj partie. Pas zgjedhjeve të fundit, ai ishte emëruar ministër i Infrastrukturës, në ekzekutivin kosovar, të cilin e udhëheq shefi i tij i partisë, Ramush Haradinaj./PERISKOPI

Të ngjashme
Donald Trump zbulon avionin e ri presidencial

Donald Trump zbulon avionin e ri presidencial

WP: Netanyahu mund të sabotojë marrëveshjen SHBA–Iran

WP: Netanyahu mund të sabotojë marrëveshjen SHBA–Iran

Pas Zvicrës, edhe Kroacia do të shtojë numrin e trupave ushtarake në Kosovë

Pas Zvicrës, edhe Kroacia do të shtojë numrin e trupave ushtarake në Kosovë

“Jam lojtar, më lini”, momenti i sikletshëm në kampin e Spanjës, rojet e sigurisë nuk e njohin yllin e kombëtares

“Jam lojtar, më lini”, momenti i sikletshëm në kampin e Spanjës, rojet e sigurisë nuk e njohin yllin e kombëtares

SHBA kalon në epërsi ndaj Australisë

SHBA kalon në epërsi ndaj Australisë

Dërgesat e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit rriten dukshëm pas marrëveshjes SHBA-Iran

Dërgesat e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit rriten dukshëm pas marrëveshjes SHBA-Iran

Një stuhi e fortë godet Cyrihun, raportohet për dëme të konsiderueshme materiale

Një stuhi e fortë godet Cyrihun, raportohet për dëme të konsiderueshme materiale

Nxirren nga deti dy predha të Luftës së Dytë Botërore në Porto Palermo të Himarës, foto

Nxirren nga deti dy predha të Luftës së Dytë Botërore në Porto Palermo të Himarës, foto

I kërkuar me urdhër gjykate, arrestohet 57-vjeçari i dënuar me pesë vite burg për sulm seksual

I kërkuar me urdhër gjykate, arrestohet 57-vjeçari i dënuar me pesë vite burg për sulm seksual

Tërmet 3.6 ballë në Shqipëri

Tërmet 3.6 ballë në Shqipëri

Haxhiu paraqet ankesë në PZAP, kërkon rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të PDK’së: Procesi ka deformime

Haxhiu paraqet ankesë në PZAP, kërkon rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të PDK’së: Procesi ka deformime

Qeveria në detyrë mban mbledhje, merren disa vendime

Qeveria në detyrë mban mbledhje, merren disa vendime

Nesër mbahet testi i maturës, do i nënshtrohen mbi 19 mijë nxënës – Ministria jep detaje

Nesër mbahet testi i maturës, do i nënshtrohen mbi 19 mijë nxënës – Ministria jep detaje