Dosja e Ballukut: Zbulohet një USB me 6 mijë e 500 mesazhe telefonike për tendera në këmbim të apartamenteve e jahteve

Dosja e Ballukut: Zbulohet një USB me 6 mijë e 500 mesazhe telefonike për tendera në këmbim të apartamenteve e jahteve

Relacioni që SPAK, ka çuar në Kuvend për të marrë autorizimin për arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku është një nga më të fortat dhe të llahtarshmet që është dorëzuar ndonjëherë në Parlament për një zyrtar të lartë.

Siç raporton syri.net, relacioni hetimor mbështetet dhe mbi një USB ku janë evidentuar rreth 6500 mesazhe telefonike dhe mbi të gjitha që përputhen dhe me mjaft prova shkresore që formojnë pazëllin e aktivitetit të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku, vartësit të saj, Evis Berberi dhe zyrtarëve të tjerë.

Burime e syri.net pranë grupit të hetimit thanë se në këto biseda nuk janë vetëm paracaktimet e 7 tenderave të Unazës së Madhe, por ekzistojnë dhe tendera të tjerë për ndërtimin e rrugëve.

Ndërkohë janë dhe 3 tendera të tjerë që Balluku dhe zyrtarë të tjerë të ministrisë së saj, dyshohet se kanë bërë korrupsion. Në relacion SPAK rendit 11 tendera për të cilat Balluku po hetohet. Prokuroria i informon deputetet se përveç tenderit të Llogarasë 190 milionë euro për të cilin është marrë e pandehur apo 7 lotëve të Unazës së Madhe 450 milionë euroshe për të cila është person në hetim, Balluku dyshohet se ka përcaktuar fituesit edhe të 3 tenderave të tjerë: Thumanë-Kashar 245 mln euro, Porto Romano-Durrës 12 mln euro dhe mirëmbajtja e akseve të veriut me vlerë 440 mijë euro.

Përmes mesazheve SPAK ka arritur të krijojë bindjen se në këmbim të disa tenderava merreshin apartamente, të cilët regjistroheshin me emra të persona të tjerë.

Këto mesazhe do çojnë SPAK, në hapjen e një dosje të re për Belinda Ballukun, për hetimin pasuror të saj, ku në fokus janë transfertat bankare, pasuria kapitale dhe pasuritë e fshehura në Tiranë dhe jo vetëm.

Njëherësh në dosje ka biseda për mjete lundrimi “Jahte”, duke çuar në identifikimin e episodeve të tjera të abuzimit me detyrën.

Deri ditën e nesërme kur palët, prokuroria dhe avokatët e Ballukut, të paraqiten në Kuvend për të diskutuar rreth kësaj çështje, situata mund të ndryshojë pasi SPAK, pritet të çojë dhe prova të tjera.

Belinda Balluku, tashmë është marrë zyrtarisht e pandehur për akuzën e “Shkeljes së pabarazisë në tendera dhe ankandeve publike” kryer disa herë në formën e bashkëpunimin të veçantë.

Pritet që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor.

Shpërndaje në: