Dosja e Prokurorisë: Tre zyrtarët e Komunës së Prishtinës dyshohen për ryshfet lidhur me tenderin për mirëmbajtjen e rrugëve në dimër
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dorëzuar kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktim të masës paraburgimit ndaj Dukagjin Gashit, Afrim Gashit dhe Bashkim Sadikut, të cilët u arrestuan në aksionin e zhvilluar të martën nën dyshimet për “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”, lidhur me tenderin për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë sezonës së dimrit.
Sipas kërkesës së Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, gjatë muajit janar 2026 në Prishtinë, të pandehurit Afrim Gashi- zyrtar i lartë për infrastrukturë rrugore në Komunën e Prishtinës dhe menaxher i kontratës për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve në Prishtinë, Dukagjin Gashi– udhëheqës i sektorit për menaxhimin e mbeturinave dhe ambientit në Komunën e Prishtinë, dhe Bashkim Sadiku– zyrtar i lartë për energji në Komunën e Prishtinës, në bashkëkryerje dhe pas një marrëveshje paraprake e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore.
Sipas Prokurorisë, në mënyrë të kundërligjshme kanë planifikuar dhe koordinuar aktivitete korruptive, ashtu që gjatë muajit janar e kanë takuar të dëmtuarin E.G.,– pronar i kompanisë “Dardania” SHPK, fitues i tenderit për mirëmbajtje dimërore të rrugëve në Komunën e Prishtinës, me qëllim të ekzekutimit të pagesave lidhur me punët e kryera, i kanë kërkuar para ryshfet 5 mijë e 500- 6 mijë euro apo 10% të vlerës së dy faturave të papaguara, me qëllim që t’ia mundësojnë pagesën e faturave, njërës në vlerë 27 mijë e 384 euro e 8 centë, dhe tjetra në vlerë 28 mijë e 10 euro e 40 centë, lidhur me tenderin me tenderin “Mirëmbajtja dimërore e rrugëve”- Lot 1.
Prandaj, Afrim Gashi, Dukagjin Gashi dhe Bashim Sadiku, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Më tej, në kërkesë thuhet se më 27 janar 2026, në kohë dhe vende të ndryshme në Prishtinë, të pandehurit Afrim Gashi, Dukagjin Gashi dhe Bashkim Sadiku, në bashkëkryerje dhe pas një marrëveshje paraprake për të pranuar ryshfet, kishin lënë takim me të dëmtuarin E.G.
Sipas Prokurorisë, në ora 8:40, fillimisht i pandehuri Afrim Gashi e takon të dëmtuarin E.G., në mënyrë të kundërligjshme pranon shumën prej 2 mijë euro, në veturë, ku aty arrestohet në flagrancë nga Policia e Kosovës.
Më pas, thuhet se i dëmtuari rreth orës 09:49 afër shkollës “Gjergj Fishta” në Prishtinë, e takon të pandehurin Dukagjin Gashi dhe qëndrojnë për disa minuta së bashku, dhe kur i ka nxjerrë paratë prej 2 mijë euro, i pandehuri Dukagjin i thotë “jo, jo leje njëherë”, duke i thënë se do të shihen prapë dhe nuk e pranon shumën të cilën e kishte kërkuar më 23 janar 2026.
I dëmtuari Ekrem Gashi, në kërkesë thuhet se, sipas marrëveshjes së datës 15 janar 2026, ishte takuar me të pandehurin Bashkim Sadiku tek një kafene pranë Komunës së Prishtinës dhe i kishte thënë “ti përmbaju marrëveshjes dhe sa të kesh para mund të na japësh në mënyrë që të kryhet puna jote sa më shpejt” dhe ditën kritike më 27 janar 2026, rreth orës 10:40 është takuar në zyrën e tij në objektin e Komunës së vjetër të Prishtinës.
I pranishëm, aty thuhet se ishte edhe i pandehuri Dukagjin Gashi, i cili sipas xhirimeve me audio dëgjohet duke i thënë Bashkimit “hec shko kryej qatë punë që të thash, edhe mos e diskuto po nisu menjëherë”, duke mos e lejuar të kontaktojë më shumë me të dëmtuarin, e gjithashtu duke mos e lejuar që të dalë në kafe. Pas gjithë kësaj bisede, Dukagjin Gashi e pyet të dëmtuarin nëse është takuar me Afrimin sot, pasi që e ka thirrë dikush prej juve në telefon Afrimin edhe tash Afrimi është tek Muhaxherët (duke iu referuar stacionit policor).
Prandaj, tre të dyshuarit dyshohen edhe me veprën penale “Marrje ryshfetit” nga neni 421, par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Kujtojmë se tre të dyshuarit ishin arrestuar nga Policia e Kosovës të martën e 27 janarit 2026, pastaj u ndaluan nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Seanca dëgjimore është duke u mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe pas saj pritet të merrete vendimi për masën e sigurisë. /BetimipërDrejtësi/



