Drejtori i Emergjencave: Prishtina tashmë është në fazën e rimëkëmbjes pas vërshimeve

Drejtori i Emergjencave: Prishtina tashmë është në fazën e rimëkëmbjes pas vërshimeve

Kosova është përballur ditëve të fundit me vërshime të mëdha, të cilat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa komuna të vendit. Reshjet e dendura të shiut dhe kushtet e pafavorshme atmosferike kanë prekur edhe Prishtinën dhe rrethinën, duke detyruar institucionet lokale të ndërmarrin masa për menaxhimin e gjendjes dhe rimëkëmbjen pas dëmeve të shkaktuara.

Sipas autoriteteve komunale, kryeqyteti tashmë ka hyrë në fazën e rimëkëmbjes pas përballjes me këto vërshime.

Lidhur me gjendjen pas vërshimeve, Drejtori i Emergjencave në Prishtinë, Lulzim Fushtica ka deklaruar për Ekonomia Online se puna në terren po vazhdon intensivisht dhe se ekipet emergjente janë duke intervenuar.

“Pas vërshimeve që i kemi pasur dhe dëmeve që janë shkaktuar në ekonomitë familjare, në biznese dhe në bujqësi, për momentin jemi në fazën e rimëkëmbjes. Sa po flasim ne, veçse i kemi ekipet në kryeqytet, në disa lagje të kryeqytetit, të cilat me makineri të rënda janë duke bërë pastrimin, largimin e baltës dhe mbeturinave në disa pjesë të Prishtinës, por edhe në fshatra, në mënyrë që të funksionalizojmë dhe të kthehet jeta në normalitet. Tash jemi në fazën e rimëkëmbjes dhe jemi duke punuar që të rimëkëmbet situata dhe kemi intervenuar aty ku kemi pasur dëme që ne mundemi t’i rikuperojmë. Faza tjetër atëherë do të fillojë me vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga këto vërshime”, tha ai.

Fushtica bëri të ditur se edhe gjatë fundjavës janë realizuar dhjetëra intervenime në zona të ndryshme të kryeqytetit dhe rrethinës.

“Ne edhe gjatë ditës së shtunë, sepse të dielën ka qenë ditë më e qetë për shkak të ngricave, temperaturave të ulëta, borës dhe pamundësisë për të intervenuar, gjatë së shtunës kemi pasur mbi 30 intervenime në të gjitha pjesët e kryeqytetit. Në shumicën e rasteve kanë qenë në fshatrat e kryeqytetit: në Bërnicë të Poshtme dhe të Epërme, në Prugovc, Drenoc, në lagjen Kodrina, në Mramor, Slivovë, pra gati në të gjitha fshatrat e kryeqytetit, dhe në disa pjesë të Prishtinës si në Kodrën e Trimave, në Emshir, Dragodan, pra pothuajse në të gjitha pjesët e Prishtinës. Tani janë duke intervenuar në lagjen Kalabria dhe në fshatrat që kanë mbetur në Bërnicë, në disa pjesë, dhe gjatë këtyre ditëve edhe në Drenoc, kryesisht te varrezat, që të largohet uji dhe të kthehet jeta në normalitet, aq sa mund të kthehet. Në të gjitha pjesët e Prishtinës ka pasur intervenim dhe do të ketë edhe ditëve në vijim, në mënyrë që të fillojë faza e rimëkëmbjes”, theksoi Fushtica.

Sa i përket dëmeve materiale, ai theksoi se është ende herët për një vlerësim të saktë, por dëmet janë evidentuar kryesisht në shtëpi banimi.

Shpërndaje në: