Drita e fiton Kupën e Kosovës në volejboll

Drita e fiton Kupën e Kosovës në volejboll

Drita e Gjilanit ka fituar Kupën e Kosovës në volejboll, pasi triumfoi në një finale dramatike ndaj Fer Volleyt të Ferizajt.

Skuadra gjilanase, që në përbërje kishte gjashtë volejbolliste të huaja, arriti të përmbysë rezultatin dhe të fitojë me shifrat 3:2 në sete, në ndeshjen e zhvilluar të dielën mbrëma në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë. Në anën tjetër, Fer Volley u paraqit me katër lojtare të huaja.

Ferizajaset e nisën më mirë takimin, duke fituar dy setet e para me rezultat 25:18 dhe 25:22, duke u afruar shumë pranë trofeut.

Megjithatë, Drita reagoi fuqishëm dhe përmbysi gjithçka. Seti i tretë ishte vendimtar për kthesën, ku gjilanaset triumfuan 29:27, ndërsa më pas fituan edhe setin e katërt me rezultat 25:22.

Në setin final, Drita tregoi më shumë qetësi dhe cilësi, duke e mbyllur ndeshjen me rezultat 15:13 për të siguruar trofeun.

Drita kishte siguruar finalen pas fitores 3:1 në sete ndaj Ferizajt në gjysmëfinale, ndërsa Fer Volley kishte kaluar në finale duke mposhtur Fushë Kosovën me rezultat të pastër 3:0 në sete./Periskopi/

Shpërndaje në: