Drita vazhdon rrugëtimin drejt Ligës së Kampionëve, sonte ka ndeshjen e radhës

Drita vazhdon rrugëtimin drejt Ligës së Kampionëve, sonte ka ndeshjen e radhës

Kampionia e Kosovës, Drita, do të jetë nikoqire e kampionit të Suedisë, Malmos, në ndeshjen e parë të rundit të parë kualifikues në Ligën e Kampionëve në Mitrovicë.

Drita vjen pasi e fitoi rundin preliminar, i cili është futur për herë të parë nga ky sezon, duke fituar ndaj skuadrave nga Gjibraltari dhe Andorra.

Klubi nga Gjilani fitoi 2-0 ndaj Santa Colomas së Andorrës por vetëm pasi ndeshja shkoi në vazhdime në gjysmëfinale të rundit preliminar, dhe vetëm tri ditë më vonë e shkatërroi kampionin e Gjibraltarit, Lincoln Red FC, duke e mposhtur 4-1, po ashtu në kohën shtesë, pasi loja e rregullt kishte përfunduar baras.

Por, sonte në orën 20:45, stadiumin e Mitrovicës “Adem Jashari” nis rrugëtimi i vështirë i kampiones së Kosovës, pasi në rundin e parë do të përballet me një skuadër shumë më të fortë, kampionin e Suedisë, Malmon.

Më pas, Drita do të udhëtojë drejt Suedisë për ta zhvilluar ndeshjen e kthimit si mysafire e Malmos më 17 korrik.

Trajneri Bekim Isufi thotë se e ka analizuar lojën e kundërshtarit, ndërsa pret shumë nga lojtarët e tij që tu jap sa më pak hapësira kundërshtarëve.

“E dimë rëndësinë e ndeshjes, e dini se sa vite është dashur të kemi ndeshje historike. Pas dy ndeshjeve që i patëm në Gjibraltar, i kemi bërë të gjitha përgatitjet e mundshme, aq sa kemi pasur mundësi. Do të luajmë kundër një kundërshtari që e dini të gjithë se për çfarë ekipi bëhet fjalë”.

Nëse e kalon Malmon me sukses, Drita do t’i ketë edhe disa runde për t’i kaluar për ta arritur të pamundurën, kualifikimin në fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve.

Do të jetë rundi i dytë dhe tretë dhe më pas playoff.

Në rast eliminimi nga Malmo, atëherë Drita do të ketë të drejtë të luajë në kualifikime për një garë më pak të rëndësishme se Championisi, Evropa Ligën.

Shpërndaje në: