Dumani thotë se janë sekuestruar prova të rëndësishme në hetimet për zgjedhjet

Dumani thotë se janë sekuestruar prova të rëndësishme në hetimet për zgjedhjet

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka bërë me dije se janë sekuestruar prova të rëndësishme në hetimet për krimet zgjedhore më 11 maj, duke shtuar se prokurorët e posaçëm kanë ndërmarrë një sërë kontrollesh të banesave, zyrave dhe personave të dyshuar.

Këto janë përditësimet e fundit që vetë Dumani i ka dhënë, duke shtuar se janë ekzekutuar 20 vendime gjykate që lejuan kontrolle në ambiente të ndryshme, nga ku janë sekuestruar dokumente dhe prova të rëndësishme që pritet t’i shërbejnë procesit hetimor.

“Janë ushtruar disa kontrolle në banesa, zyra dhe ambiente të tjera. Janë sekuestruar prova të rëndësishme. Por sfidat nuk mungojnë. Kallëzimet e depozituara nga partitë politike në SPAK kanë qenë të paplota dhe të pamjaftueshme për të ndërtuar një hetim të plotë”, përmendi kreu i SPAK në fjalën e tij gjatë një tryeze informuese për zgjedhjet.

Ai theksoi nevojën për më shumë ndërgjegjësim qytetar dhe mbështetje për denoncimet publike, përmes fushatave informuese dhe garantimit të mbrojtjes ligjore për dëshmitarët.

Cilat janë pikat më të nxehta?

Më 27 qershor, Prokuroria e Posaçme SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kanë zhvilluar të tjera kontrolle të shtuara në Elbasan sa u takon krimeve zgjedhore, ku mësohet se është sekuestruar edhe telefoni celular i një zyrtari të Bashkisë.

Sipas raportimeve, zyrtari dyshohet është i përfshirë në blerje votash për një kandidat të Partisë Socialiste në listën e hapur, teksa një emër edhe mungon.

Prokuroria e Posaçme vetë nuk ka dhënë ende asnjë njoftim për shtyp lidhur me situatën, por ka raportime se ka pasur katër urdhra kontrolli ndaj personave të cilët dyshohet se janë të përfshirë në korrupsion zgjedhor.

Detaje të tjera lidhur me këto raportime priten në vijim.

Më 26 maj, Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar telefonin e nënkryetarit të Bashkisë Pukë, Ndue Suma, në kuadër të një hetimi të krimeve zgjedhore.

Sipas raportimeve, Suma është nën hetim për korrupsion në zgjedhje, ku sipas legjislacionit, hetohet tashmë edhe nga Prokuroria e Posaçme, falë Strategjisë së re kundër Krimeve Zgjedhore.

Një njoftim zyrtar nga SPAK ende pritet lidhur me rastin.

Ndërsa Suma, nuk është i vetmi, i cili është vendosur në sitën e SPAK.

Më 18 maj, Policia e Shtetit ka publikuar një njoftim zyrtar rreth kontrolleve të kryera ndaj ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi, të cilit mësohet se i janë gjetur në një ambient në pronësi të tij, lista zgjedhore dhe kupona nafte.

Kështu, duke shtuar dyshime për përfshirjen në krime zgjedhore të tij, pas sekuestrimit të telefonit me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme SPAK.

Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Shtetit, kontrollet janë kryer ndaj pesë personave, si edhe në banesat e tyre.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me oficerët e BKH-së, në funksion të procedimit penal nr. 82, i vitit 2025, ekzekutuan vendimin e datës 17.05.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për kontrollin fizik dhe atë në banesat e 5 shtetasve.

Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj shtetasit E. Rr., 50 vjeç, banues në Kavajë, iu bllokua telefoni celular, si dhe në një ambient në pronësi të tij u gjetën dhe u sekuestruan fatura, kupona nafte dhe lista zgjedhësish.

Shtetasve O. S., 38 vjeç, T. Rr., 44 vjeç, të dy banues në Kavajë, dhe shtetasit T. H., 35 vjeç, banues në Qerret, Durrës, Policia u sekuestroi telefonat celularë.

Ndërsa shtetasit M. S., 37 vjeç, banues në Kavajë, Policia i sekuestroi një DVR, kupona nafte dhe një pistoletë manovër.

Këta shtetas dyshohen për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe hetimet në kuadër të procedimit penal vijojnë.

Kujtojmë se vëllai i Elvis Roshit, Saimir Rroshi, garoi në zgjedhjet e fundit parlamentare nën logon e koalicionit Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore.

Vetë Elvis Roshi, u përfshi edhe publikisht në fushatë, me takimet elektorale të zhvilluara në mbështetje të të vëllait.

Shpërndaje në: