Dushi: KQZ është kapur dhe po dhunohet nga VV`ja, pse po hesht Vjosa Osmani?
Ish anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e LDK`së Florian Dushi ka komenntuar situatën e fundit në Komisionin Qendror të zgjedhjeve, raporton Periskopi.
Sipas Dushit , KQZ është shndërruar në një institucion të kapur e të dhunuar nga përfaqësuesit e VV-së, të cilët me presion, frikësim dhe sjellje joprofesionale po e minojnë besimin publik në një nga institucionet më të rëndësishme të demokracisë në vendin tonë.
“Por mbi të gjitha, shqetësuese është në disa raste edhe heshtja e Presidentes, e cila asnjëherë nuk ka reaguar për ta mbrojtur këtë institucion kushtetues që sot po rrëshqet nën diktatin e partisë-shtet”, ka shkruar ai ndër të tjera.
Reagimi i tij:
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndër vite ka qenë institucioni më kredibil i shtetit, i vlerësuar nga BE dhe monitoruesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve si garant i proceseve të drejta zgjedhore. Edhe kur ka pasur probleme, ato kurrë nuk kanë buruar nga KQZ, por nga subjektet e caktuara të njohura për abuzim me proceset zgjedhore, të cilat shpesh janë ndalur e korrigjuar pikërisht nga organet zgjedhore.
Sot kjo traditë është rrezikuar seriozisht. Përkundër rezistencës së disa anëtarëve të përkushtuar e profesionalë, KQZ është shndërruar në një institucion të kapur e të dhunuar nga përfaqësuesit e VV-së, të cilët me presion, frikësim dhe sjellje joprofesionale po e minojnë besimin publik në një nga institucionet më të rëndësishme të demokracisë në vendin tonë.
Por mbi të gjitha, shqetësuese është në disa raste edhe heshtja e Presidentes, e cila asnjëherë nuk ka reaguar për ta mbrojtur këtë institucion kushtetues që sot po rrëshqet nën diktatin e partisë-shtet.



