Dy agjentë të FBI-së në Kosovë për të punuar me Policinë e Kosovës

Dy agjentë të FBI-së në Kosovë për të punuar me Policinë e Kosovës

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, ka pritur në Prishtinë Atasheun Ligjor të FBI-së, Brendan Collins, si dhe Atasheun e Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së (DOJ-ICITAP), Kimberly Riffe, në një takim zyrtar me drejtuesit e lartë të Policisë së Kosovës.

Sipas njoftimit për media, gjatë takimit përfaqësuesit amerikanë prezantuan dy zyrtarë të FBI-së, një agjent special dhe një analist të inteligjencës, të cilët do të angazhohen në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Policinë e Kosovës në muajt në vijim.

“Takimi u përqendrua në planet e bashkëpunimit të ardhshëm, forcimin e partneritetit strategjik dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional”, thuhet në njoftim, duke shtuar se palët riafirmuan përkushtimin për koordinim të vazhdueshëm në fushën e hetimeve penale dhe inteligjencës.

Policia e Kosovës ka vlerësuar lart mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve amerikane të sigurisë, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si kyç për rritjen e sigurisë dhe luftimin e krimit.

Shpërndaje në: