Dy lojtarët shqiptarë në mesin e 100 talenteve në Itali (FOTO)
Një listë speciale e hartuar nga e përditshmja sportive “Corriere Dello Sport”, ku nuk mund të mungonin elementët e spikatur, që kanë mahnitur në Serinë A. Nga portieri Donnarumma i Milanit, te sulmuesi Moise Kean i Juventusit, për të vazhduar me Pietro Pellegri-n, që debutoi në elitë me Genoan në moshën 15-vjeçare.
Përzgjedhja për 100 talentët e futbollit italian është realizuar duke seleksionuar 50 që luajnë ose stërviten në Akademitë e klubeve të Serisë A. Nga shqiptarët aty është 18-vjeçari Shaqir Tafa, qendër-mbrojtës i Palermos. Edhe pse i lindur në Itali, Tafa zgjodhi të përfaqësojë ngjyrat kuqezi, ku pas grumbullimit me Kombëtaren e 19-vjeçarëve, tashmë është kandidat i fort për një vend në skuadrën Shpresa.
Mes 50 talentëve që luajnë në Serinë B është Emanuele Ndoj. Edhe mesfushori 19-vjeçar ka lindur në Itali dhe nga Akademia e Romës u transferua te Brescia ku ka luajtur 11 ndeshje. Pas paraqitjeve me përfaqësueset e 17 dhe 19-vjeçarëve kuqezi, Ndoj synon të kthehet në protagonist në ekipin Shpresa.
Dy yje të së ardhmes që në vendin fqinj i vlerësojnë si e ardhmja e futbollit italian, por që po rriten për tu shndërruar një ditë në protagonistë me Kombëtaren shqiptare./ Super Sport




