Dy shqiptarë shënojnë katër gola për Luganon
Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Armando Sadiku, ka shkëlqyer bashkë me yllin shqiptar të Maqedonisë, Ezgjan Alioski në fitoren e Luganos 4 me 2 ndaj Sionit.
Alioski ka shënuar tre gola brenda 25 minutave të para, dy me 11 metërsh dhe një pas asistit të Sadikut, ndërsa ky i fundit ka shënuar golin e katërt në fillimin e pjesës së dytë, pikërisht pas pasimit të Alioskit.
Me këtë fitore, ekipi i Luganos i largohet përfundimisht zonës së rënies nga kategoria dhe kur kanë mbetur edhe 9 javë nga fundi i kampionatit, mund të pretendojë seriozisht për një vend në Europë.
Ardhja e Tramezzanit si trajner dhe Sadikut në qendër të sulmit, ia kanë ndryshuar tërësisht fytyrën ekipit zviceran.



