Dyshime për foton e Ronaldos në Fast & Furious, por aktorët rrisin zërat për përfshirjen e tij
Rrjeti u “ndez” pasi aktori i Fast & Furious, Tyrese Gibson, publikoi një foto që dukej se tregonte Cristiano Ronaldon në sheshxhirimin e filmit të 11-të të sagës, krah Vin Diesel dhe Dwayne Johnson. Postimi u shoqërua me një mesazh mirëseardhjeje për yllin portugez, duke nxitur spekulime se ai mund të debutojë në Hollywood.
Megjithatë, entuziazmi u shoqërua shpejt me dyshime, pasi shumë përdorues dhe ekspertë të inteligjencës artificiale pretenduan se imazhi mund të jetë i krijuar në mënyrë digjitale. Madje edhe chatbot-i Grok sugjeroi se fotoja ka shenja manipulimi, duke hedhur hije dyshimi mbi autenticitetin e saj.
Pavarësisht kësaj, zërat për përfshirjen e Ronaldos në film nuk janë të rinj. Më herët, Vin Diesel ka konfirmuar publikisht se është shkruar një rol i veçantë për pesë herë fituesin e Topit të Artë. Së fundmi, edhe një tjetër aktor i sagës, Tyrese Gibson, ka dërguar mesazhe që lënë të kuptohet se Ronaldo mund të jetë pjesë e filmit, duke e forcuar bindjen se bisedimet janë reale, raporton Gazeta Express, transmeton Periskopi.
Fast & Furious 11, i cili pritet të jetë kapitulli i fundit i sagës legjendare, është planifikuar të dalë në vitin 2027. Megjithëse angazhimet sportive të Ronaldos mbeten një pengesë, ylli 40-vjeçar po përgatitet qartë për jetën pas futbollit, duke investuar edhe në industrinë e filmit përmes studios së tij UR•MARV.
Në fund, mbetet e paqartë nëse Ronaldo do të shfaqet vërtet në filmin e famshëm, por sinjalet nga aktorët e Fast & Furious tregojnë se dera për një surprizë të madhe hollywoodiane është ende e hapur.



