Dyshime serioze për përdorim të drogës – Ish-kryeinspektori i AKI-së elaboron idenë e testimit të deputetëve
Eksperti i sigurisë dhe anëtari i AAK-së, Burim Ramadani, ka dalë me një propozim që deputetët e Kuvendit të Kosovës t’i nënshtrohen testit të drogës, duke lënë të nënkuptohet se mund të ketë deputetë që janë përdorues të substancave narkotike, shkruan Periskopi.
Në një prononcim për Periskopin, Ramadani tha se do të ishte mirë që njerëzit e tillë të mos lejohen të marrin pozita publike, duke përmendur dy arsye pse mendon kështu.
“Fatkeqësisht, në Kosovë ende nuk ka parandalim ligjor për ata dhe ato që janë konsumues të narkotikëve. Do të ishte shumë më mirë që njerëzit e tillë të mos lejohen të marrin pozita publike, sepse nuk besoj që personat me varësi nga narkotikët duhet të përfaqësojnë popullin.
Janë të paktën dy arsye që unë i shoh:
Së pari, narkomanët mund të mos jenë në gjendje të qëndrueshme pikërisht në momentet e votimit.
Së dyti, duke dashur ta fshehin të vërtetën e tyre, ata dhe ato mund ta përdorin pushtetin për t’u bërë presion hetuesve që të mos i procedojnë rastet ndaj tyre”, tha Ramadani.
Mes tjerash, Ramadani shtoi se ata që nuk guxojnë ta bëjnë narko-testin nuk duhet të jenë deputetë apo ministra.
“Përfaqësuesit e popullit duhet të jenë me integritet. Nuk ka vend për ata që nuk guxojnë ta bëjnë narko-testin.
Unë besoj se narkomanët duhet të shkojnë në rehabilitim dhe se shteti duhet ta ndihmojë rehabilitimin e tyre. Por, jo të jenë deputetë e ministra”, shtoi Ramadani.



