“Dyshimet për dallavere” – PDK`ja kërkon rivotim në Mitrovicë

“Dyshimet për dallavere” – PDK`ja kërkon rivotim në Mitrovicë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda ka thënë se Mitrovica duhet të shkojë në rivotim.

Sipas tij, kjo pasi që në disa qendra, ndër më të mëdhatë në atë qytet, janë vërejtur parregullsi gjatë procesit të votimit.

Ai në një konferencë për media ka thënë se procesi zgjedhor në Mitrovicë është shoqëruar me presion të madh, me ndërhyrje në proces, me përdorim të institucioneve të shtetit dhe ndikim në votues.

Gruda ka thënë se kjo është vërejtur edhe në ditën e votimit, ku sipas tij, i gjithë kabineti qeveritar ka qëndruar në Mitrovicë.

“Gjatë ditës së djeshme, komisionerët tanë, gjatë procesit të numërimit, kanë vërejtur parregullsi të rënda: fletëvotime me një numër serik të caktuar, që u takonin një klase votimi, janë gjetur në klasë tjetër, madje edhe në qendra të tjera votimi. Pra, ka pasur bartje të një fletëvotimi nga një shkollë në shkollën tjetër. Me të marrë këto informacione, komisionerët e PDK-së kanë alarmuar menjëherë organet e rendit dhe drejtësisë, ndërsa përfaqësuesit tanë në KQZ kanë dalë në vendin e ngjarjes. Si pasojë, dhe siç tashmë e dini, procesi i numërimit është ndalur”, ka thënë ai.

Ai ka pretenduar se ka pasur bartje të fletëvotimeve nga qendra në qendër dhe sipas tij, kjo nuk ka guxuar të ndodhë, sepse ajo bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet dhe me Rregullat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Gruda ka thënë se kodi që ndodhet në çdo fletëvotim shërben si element identifikues i vendvotimit dhe si mekanizëm sigurie për të parandaluar bartjen e fletëvotimeve nga një qendër në tjetrën.

Sipas tij, ky kod është një nga elementet themelore të integritetit zgjedhor, që mbron vullnetin e lirë të qytetarit nga çdo tentim manipulimi apo keqpërdorimi.

Prandaj, ka shtuar se çështja e kodit nuk është thjesht teknike, por një çështje thelbësore ligjore dhe kushtetuese që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e votës dhe legjitimitetin e rezultatit zgjedhor.

“Rastet e konstatuara konkretisht janë këto: Në shkollën “Abdullah Shabani”, janë gjetur tre fletëvotime që i takonin klasave të tjera. Në shkollën “Ismail Qemali”, është gjetur një fletëvotim që i përkiste qendrës “Universiteti Isa Boletini”. Në një klasë të shkollës “Abdullah Shabani”, është gjetur fletëvotimi që i takon qendrës së votimit të shkollës “Migjeni”. Në shkollën “Migjeni”, janë gjetur gjithashtu fletëvotime të bartura nga një klasë në tjetrën”, ka thënë ai.

Ka shtuar se presin që të ketë akoma më shumë të gjetura, në përfundim të të gjithë procesit të hetimit.

Sipas Grudës, në aq kuti sa janë numëruar deri më tani në Mitrovicë, është vërejte se ka po aq fletëvotime të bartura nga një klasë në tjetrën, apo nga një qendër në tjetrën.

“Të gjitha këto dyshime shtohen, kur ne e shohim që Mitrovica është e vetmja komunë në Kosovë, ku dalja në votime në balotazh është me madhe sesa në raundin e parë. Ju e dini, në vitin 2011, Mitrovica ka shkuar në rivotim për shkak të dështimit të baterive, si rrjedhojë e dështimit të KQZ-së për të garantuar proces zgjedhor të rregullt. Këtë herë, dështimi i KQZ-së është më i madh, më serioz dhe absolutisht më ndikues në lëndim të procesit”, ka thënë ai.

Shpërndaje në: