Dyshohet se përvetësuan 12.500 pako cigare, arrestohet një polic – suspendohen katër të tjerë

Dyshohet se përvetësuan 12.500 pako cigare, arrestohet një polic – suspendohen katër të tjerë

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë filluar të ndërmarrin veprime hetimore ndaj pesë zyrtarëve policorë të angazhuar në Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë në kuadër të  Departamenti Kufitar të  Policisë së Kosovës.

Në njoftimin zyrtar thuhet se sipas të dhënave fillestare hetimore dhe provat e siguruara deri në këtë fazë, ekziston dyshimi se zyrtarët policorë më 13 mars  gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, kanë kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë”.

Pos tjerash, bëhet e ditur se sipas dyshimeve fillestare zyrtarët policorë  në këtë rast, pasi paraprakisht kishin sekuestruar mbi 100 paketa me cigare nga persona të dyshuar për kontrabandë brenda territorit të Kosovës, dyshohet se i kanë përvetësuar 24 paketa me cigare, rreth 12,500 pako cigare në vlerë rreth 30.000 euro, kurse në Doganën e Kosovës i kanë dorëzuar vetëm 84 paketa me cigare të cilat janë dyshuar si të kontrabanduara.

Pas veprimeve hetimore një zyrtar policor është arrestuar dhe me vendim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, kurse katër zyrtarët tjerë janë duke u hetuar në procedurë të rregullt.

“IPK në interes të hetimit dhe pasi që natyra e veprës penale që lidhet drejtpërdrejt me keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe integritetin e zyrtarit policor i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për të pesë zyrtarët policorë të përfshirë si të dyshuar në këtë rast”, thuhet në njoftim.

Shpërndaje në: