Edhe Flaka Loxha stoliset me të bronztën, tri medalje për Kosovën në Sofje të Bullgarisë
Flaka Loxha ka fituar një tjetër medalje për Kosovën në European Open të xhudos, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë.
Në kategorinë deri në 57 kilogramë, Loxha triumfoi në luftën për medaljen e bronztë ndaj francezes Maelenn Cotard.
Xhudistja kosovare siguroi fitoren me mbërthim, përkatësisht me teknikën “osaekomi”, duke konfirmuar paraqitjen e saj të mirë në këtë turne, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.
Flaka e mbylli garën me tri fitore dhe një disfatë, duke u ngjitur meritorisht në podium.
Me këtë sukses, Kosova ka arritur të fitojë tri medalje të bronzta në European Open në Sofje. Përveç Flaka Loxhës, medalje të bronztë siguruan edhe Erza Muminoviq dhe Fationa Kasapi, duke e bërë këtë turne mjaft të suksesshëm për xhudon kosovare.
Në të njëjtën kohë për të bronztë luftoi edhe Laurinë Gashi. Ajo megjithatë u mposht nga Sita Kadamboeva e Uzbekistanit. Kësisoj, kjo e fundit e mbylli si vend i pestë./Periskopi/



